Connect with us

Aktualitet

Bisedat me Klotilda Bushkën për SPAK-un, reagon ish-kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami

Naureda Llagami, ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka bërë një deklaratë publike lidhur me mesazhet e publikuara në media. Në reagimin e saj të parë për përmbajtjen e mesazheve, Llagami shkruan se ato komunikime nuk kanë ndodhur kurrë dhe janë të rreme. Sipas saj, materialet janë shpërndarë në mënyrë anonime në media, nga i njëjti person. Por nuk ka zbuluar asnjë detaj tjetër lidhur me identitetin e këtij personi. Në fund shton se çështjen do ta ndjekë në rrugë ligjore për të mbrojtur figurën e saj.

Një reagim ka pasur dje edhe nga Klotilda Bushka, e cila gjithashtu shkruan se e gjitha është shpifje. Edhe deputetja e Partisë Socialiste ka paralajmëruar një padi ligjore.

Deklarata e plotë e Klotilda Bushkës:

Në respekt të miqve, dashamirësve dhe të gjithë atyre që më njohin dhe që më kanë besuar votën e tyre, ndjej detyrimin të sqaroj se shpifjet dhe balta që po hidhet ndaj meje nga media të caktuara janë tërësisht të pavërteta. Këto janë sajesa me qëllime të caktuara dhe nuk kanë asnjë bazë në realitet. Për këtë arsye, që nesër do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të vënë drejtësinë në vend. E vërteta nuk mund të fshihet nga gënjeshtra! Klotilda

Deklarata e plotë e Naureda Llagamit:

Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të medias, qytetarë, e ndiej të nevojshme të reagoj sërish ndaj disa artikujve të publikuar ndaj meje. Në përmbajtjen e tyre janë publikuar komunikime elektronike me znj. Bushka të cilat nuk kanë ndodhur kurrë por janë fabrikuar, fakt që është lehtësisht i verifikueshëm. Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim. Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ). Vlerësoj nevojën për të dhënë këtë sqarim, pasi në 5 vjet që kam drejtuar KLGJ, jam përpjekur së bashku me koleget e mi, të krijojmë një model ndryshe qeverisje të sistemit gjyqësor. Për të gjithë sa sqaroj më sipër, do të ndjek rrugën ligjore.

Advertisement