Kosova
Diplomati amerikan favorizon një qeveri të opozitës: Me Albin Kurtin sërish kryeministër, Kosova ngec…

Ish-Drejtori i zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit gjatë Administratës Obama, Jonathan Moore ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “ishte i pasuksesshëm” jo vetëm për Kosovën, por edhe për marrëdhëniet me SHBA-në dhe se me të, i dërguari i ri i BE-së për dialog, Peter Sorensen, do ta ketë shumë të vështirë të arrijë përparim në dialog.
Ai u shpreh gjithashtu se “do të ishte e dobishme” që partitë opozitare të formojnë një qeveri të re. Sipas Moore, edhe ish-ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, për të cilin tha se ishte “brilant” nuk mund të bënte asgjë pozitive me Kurtin, i cili “refuzoi gjithçka”.
“Kurti eshte negativ. Qytetarët e votuan, ndoshta sepse nuk është i korruptuar, sepse është modest, por rezultati është se nuk ka pasur asnjë hap pozitiv. Kjo duket edhe me dialogun” – tha Moore duke shtuar se kishte shpresuar që opozita në Kosovë do merrte më shumë vota dhe do mund të bënte koalicion.
“Do të ishte e dobishme të formohej një qeveri me Listën Srpska dhe të kishte një kryeministër të ri. Shpresoj që opozita, nëse dëshiron përparim për qytetarët e saj, natyrisht edhe në veri, do duhet të formojë një koalicion dhe do të ndjekë një politikë më të mirë ndaj Europës dhe Amerikës”, tha Moore dhe theksoi se është një gjë pozitive që Sorensen do të ndërmjetësojë në dialog, sepse është “shumë i zgjuar”, por theksoi se me Kurtin do ta ketë shumë të vështirë të arrijë progres.
“Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, kjo tregon se askush në qeverinë amerikane nuk mund të parashikojë një të ardhme të suksesshme për Kosovën me Kurtin” – theksoi ish diplomati amerikan

