Aktualitet
Kush fshihet pas tritoli në Elbasan? SPAK aksion në banesën e motrave Nikolli

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë ushtruar kontroll në banesën e motrave, Alda dhe Xhovana Nikolli. Kontrolli është bërë disa muaj pasi dy motrave iu vendos tritol në shkallën e pallatit, nga shpërthimi i lëndës plasëse humbi jetën fqinji i tyre, Enea Themollari. Pas shpërthimit të ndodhur, Alda Nikolli dha një intervistë në media dhe u shpreh se dyshimet i kishte tek i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, me të cilin kishte kontaktuar, edhe pse ai aktualisht është në burg.
Alda Nikolli tha se ishte ajo shënjestra e tritolit që shpërtheu në derën e shtëpisë në Elbasan. Pas ngjarjes, në rrëfimin e saj, ajo tregoi se Dumani i ka rrëfyer shumë nga krimet që ka bërë, dhe se sipas saj, ai vendos gjoba edhe nga burgu. Alda Nikolli pretendon se pasi janë ndarë, ai e ka kërcënuar dhe se dyshon se tritolin ia ka vendosur ai në banesë.
Ndërkohë, Policia e Elbasanit nuk ka mundur që të vendosë në pranga as autorin e ngjarjes. Personi që ka vendosur tritolin, për të cilin thuhet se ka precedentë të mëparshëm penalë, është afruar në vendin e krimit me një biçikletë dhe më pas është larguar me të njëjtin mjet. Me prangosjen e tij mund të mësohet më shumë, edhe lidhur me mënyrën sesi ai ka marrë porosinë për të vendosur lëndën plasëse në shtëpinë e dy motrave.

