Bota
Autoritetet britanike zbulojnë sensorë rusë rreth nëndetëseve bërthamore

Sensorët rusë të dyshuar se ishin instaluar nga Moska për të spiunuar nëndetëset bërthamore britanike janë zbuluar në detin përreth Mbretërisë së Bashkuar, sipas një investigimi të botuar të dielën nga gazeta The Sunday Times.
Sipas gazetës, “disa” nga këta sensorë u zbuluan në vijën bregdetare, ndërsa të tjerët “u lokalizuan nga Marina Mbretërore”.
Zyrtarët ushtarakë dhe të inteligjencës i thanë Sunday Times se besonin se ishin instaluar për të mbledhur informacion rreth katër nëndetëseve bërthamore të ushtrisë britanike.
“Nuk ka dyshim se një luftë po ndodh në Atlantik. Është një lojë macja me miun që po vazhdon që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe po intensifikohet përsëri”, tha një zyrtar ushtarak, duke folur në mënyrë anonime.
Gjatë investigimit të saj, Sunday Times pretendon se ka zbuluar dronë rusë “të fshehura pranë kabllove të komunikimit nënujor”, ndërsa Ministria e Mbrojtjes pretendon se jahtet që u përkasin oligarkëve rusë mund të jenë përdorur për të kryer operacione zbulimi nënujore.
E kontaktuar nga AFP-ja, Ministria Britanike e Mbrojtjes e konsideroi këtë si “spekulim”.
“Parandalimi ynë bërthamor me bazë detare vazhdon të patrullojë oqeanet e botës pa u zbuluar, siç ka bërë për 56 vitet e fundit”, shtuan autoritetet britanike.
Janarin e kaluar, ministria raportoi se anija ruse e vëzhgimit Yantar kishte hyrë në ujërat britanike dhe ishte parë në Kanalin Anglez.
Sekretari i Mbrojtjes John Healey paralajmëroi më pas presidentin rus Vladimir Putin se Londra nuk do të hezitonte të ndërmarrë “veprim të prera për të mbrojtur Mbretërinë e Bashkuar”.

