Kosova
Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit: LDK-ja nuk e kapërcen dinjitetin njerëzor e politik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se një takim i tillë do të përbënte “kapërcim fatal” të dinjitetit njerëzor dhe politik.
Ne nje shkrim drejtuar qytetarë të Kosoves, ai thote se në politikë, si edhe në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme.
“Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë. Prandaj, secili – veçanërisht ata me pushtet – duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin. Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë. Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim konsultativ mes nesh. Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik. Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë. Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë” – ka shkruar ne reagimin e tij Lumir Abdixhiku

