Aktualitet
Luani e kafshon në kokë/ 52 vjeçari në Polici: E gjeta në rrugë si këlysh, tani ka ngordhur

Policia e Fierit ka proceduar në gjendje të lirë një 52-vjeçar nga Zharrëzi i Fierit. Procedimi u bë pas një video që qarkulloi në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për videon ku 52-vjeçari u fut në një banesë dhe u kafshua nga një luan, pasi tentoi që të pozonte për të. Në një njoftim zyrtar, Policia thotë se pasi u vu në dijeni për videon nisi menjëherë hetimet dhe identifikoi 52-vjeçarin nga Zharrëzi si pronar të kafshës së egër.
“Në përfundim të këtyre veprimeve u identifikua shtetasi që kishte në pronësi kafshën, A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, për të cilin, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, pasi dyshohet se e ka mbajtur kafshën, në banesë, në kundërshtim me rregullat,”– njoftoi Policia.
Gjatë marrjes në pyetje, 52-vjeçari ka deklaruar se kafshën e ka gjetur në Lushnje, në mes të rrugës, më shumë se 6 muaj më parë kur ishte ende këlysh. Pasi e kishte gjetur e kishte marrë në banesën e tij, derisa 1 muaj e gjysmë më parë, kafsha kishte ngordhur.
Hetimi në gjendje të lirë nisi pasi 52-vjeçari dyshohet të ketë shkelur ligjin për karantinën e bimëve dhe kafshëve.

