Connect with us

Politike

“Gjirizi ku vlonin minjtë kutërbonte era drogë dhe krim”, Noka për hapjen e fushatës së PS

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, mori pjesë në prezantimin e programit elektoral të PD në Pallatin e Kongreseve gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë.

Gjatë fjalës së tij, Noka ka kritikuar ashpër hapjen e fushatës së Partisë Socialiste, duke e quajtur atë një “gjiriz”, ndërsa e ka akuzuar Edi Ramën, kryeministrin aktual, si “kryemiun” që po drejton një qeveri të korruptuar.

Noka ka theksuar se PD ka një program të qartë dhe të orientuar drejt zgjidhjes së halleve të qytetarëve, duke e vënë theksin në nevojën për ndryshim pas katër viteve të qeverisjes së Ramës. Ai ka deklaruar se fushata e PD ka për qëllim të shpëtojë vendin nga kolapsi që ka shkaktuar qeverisja e tanishme dhe ka besim të plotë te Sali Berisha dhe ekipi i tij.

Noka ka vënë në dukje se Sali Berisha dhe PD e kanë kaluar një periudhë të vështirë, ku u sulmuan dhe u përballën me një komplot të gjerë, duke përmendur figura si George Soros, Edi Rama, Anthony Blinken, dhe Yuri Kim. Ai theksoi se shumëkush nuk mendonte se Berisha dhe PD do të arrinin të dalin përpara shqiptarëve si një alternativë e besueshme, por ky është realiteti i tanishëm.

 

 

Në vazhdim, Noka ka kritikuar ashpër përqendrimin e PS në një fushatë që, sipas tij, është e mbushur me pasiguri dhe ka për qëllim të përhapë një atmosferë të “krimit, drogës dhe korrupsionit”.

Ai përdori një metaforë të fuqishme, duke thënë se në vend të diskutimeve për hallet e qytetarëve, në fushatën e PS u paraqit një “valle hajdutësh” – një poshtërim për shqiptarët, që nuk meritojnë të shohin të tilla përfaqësime nga ata që kërkojnë të udhëhiqen.

“Shqiptarët ishin dëshmitarë të një ndryshimi që po ndodh para syve të tyre, panë se si Sali Berisha dhe PD iu ofroi një të ardhme të sigurtë shqiptarëve. Sot gjirizi ku vlonin minjtë vetëm kutërbonte erë drogë, krim dhe korrupsion, dhe minjtë të tmerruar aty dhe kryemiu dhe ata rreth tij hidheshin në valle. Qytetarët panë sot dhe asgjë nuk u fol për ta.
Sot panë një valle, si ajo kënga, vallja e hajdutëve, në vend që të flitej për hallet e tyre. Vallja e hajdutëve ishte një poshtërim për të gjithë”, tha ai.

Advertisement