Connect with us

Politike

Inceneratori/ Afera 430 milionë euro, por asnjë i burgosur, ja vendimi për ish ministrin e mjedisit

Gjykata e Posaçme ka dhënë ditën e sotme vendimin për 8 ish-zyrtarët që ishin marë të pandehur në lidhje me hetimet për dosjen e inceneratorit të Tiranë.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 3 vjet burgim, si dhe dënimin plotësues me heqjen e të drejtës për të ushtruar për 5 vite funksione publike.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi Lefter Kokës i është ulur në 2 vite burgim dhe masa ndaj tij është shuar, për shkak se e ka kryer dënimin gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim dhe dënimi quhet i vuajtur. Por, edhe pse masa i sigurisë iu shua, Koka nuk mund të lirohet pasi ndaj tij rëndojnë dënimet e tjera për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit.

Po ashtu, edhe Taulant Tusha, Namik Samixhiu, Bledar Karoli dhe Fatjon Murati janë dënuar me nga 3 vite burgim, ku nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu është ulur në 2 vite burgim, si dhe dënimin plotësues me heqjen e të drejtës për të ushtruar për 5 vite funksione publike. Edhe për ata, GJKKO ka urdhëruar shuarjen e masave të sigurisë, për shkak se iu konsiderohet dënimi i vuajtur.

E pandehura tjetër, Valbona Ballgjini është dënuar me 2 vite burgim, ku me gjykim të shkurtuar  i ulet në 1.4 vite, por nuk do të përfundojë në qeli, pasi dënimi i është konvertuar në shërbim prove, sa dyfishi i mbetur i pjesës së shlyerjes së dënimit.

Ish-zyrtarja Sidita Kopliku është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, ku nga gjykimi i shkurtuar dënimi i është ulur në 1 vit burgim, dënim i cili sërish i është konvertuar në punë publike. Gjithashtu, i është dhënë dhe dënimi plotësues me heqjen e të drejtës për të ushtruar për 5 vite funksione publike.

Ndërkohë, i pandehuri tjetër Jetmir Llapaj është shpallur i pafajshëm.

Vendimi është dhënë nga trupa gjykuese me kryesuese gjyqtaren Elsa Ulliri, e cila ka dhënë dënime më të ulëta se sa pretenca e SPAK-ut. Procesi i gjykimit ka qenë me procedurë të zakonshme.

Të pandehurit janë shpallur fajtor për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës.

Gjatë hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publik kanë bashkëpunuar  me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës.

Dënimet e kërkuara nga SPAK

  • Lefter Koka – 4 vite burg me gjykim të shkurtuar (2.8 vite) dhe 5 vite ndalim nga ushtrimi i funksioneve publike.
  • Bledar Karoli – 4 vite burg me gjykim të shkurtuar (2.8 vite) dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike.
  • Fatjon Murati – 4 vite burg, me gjykim të shkurtuar (2.8 vite) dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike.
  • Taulant Tushe – 4 vite burg me gjykim të shkurtuar (2.8 vite) dhe 5 vite ndalim nga funksionet publike.
  • Namik Simixhiu – 4 vite burg me gjykim të shkurtuar (2.8 vite).
  • Valbona Ballgjini – 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar (1.4 vite), i cili konvertohet në shërbim prove.
  • Sidita Kopliku – 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar (1.4 vite), i cili konvertohet në shërbim prove.
  • Jetmir Llapaj – 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar (1.4 vite), i cili konvertohet në shërbim prove.

Në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranësn çështja është ndarë më vete edhe për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, kjo për shkak se ky i fundit akuzohet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit. Sa i përket dy biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ata vazhdojnë të jenë ende në kërkim.

Të pandehur  për çështjen në fjalë janë marrë edhe Etleva Kondi, Alba Thoma, Pëllumb Abeshi dhe Silena Tola, të cilët kanë kërkuar zhvillimin  e procesit me procedurën e gjykimit të zakonshëm dhe gjykata ka vendosur për ta ndarjen e çështjes më vete.

Urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës u lëshuan në Dhjetor të vitit 2023, ndërsa më 2 Gusht, Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”.

Opozita i ka konsideruar hetimet e SPAK për inceneratorin si të cunguara dhe me “regji”, për sa kohë nuk merren të pandehur kryebashkiaku Erion Veliaj, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi dhe kryeministri Edi Rama.

Advertisement