Connect with us

Kosova

Nyja gordiane në Kuvendin e Kosovës, e qëllimtë, pasi asnjë nuk e do formimin e Qeverisë

“Ngecja në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është një nyje e patejkalueshme, sepse mungon vullneti politik dhe ekziston dëshira për keqinterpretim të ligjeve dhe Kushtetutës” – Kështu tha profesori i Sociologjisë dhe njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, në intervistë për Radion Evropa e Lirë, pasi që deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk arritën të tejkalojnë procedurat që çojnë drejt betimit të tyre për legjislaturën e nëntë, e cila ka dalë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ai u shpreh gjithashtu se sjellja e partive politike është zhgënjyese dhe irrituese, sepse nuk kanë vullnet politik për gjetjen e një zgjidhjeje.

Sipas Muhaxhirit, ngecja në konstituimin e Kuvendit po bëhet qëllimshëm nga partitë politike, sepse me konstituimin e legjislativit do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

“Kjo është një situatë për keqardhje maksimale. Është tepër zhgënjyese, irrituese, që politikanët, të cilët e kanë marrë besimin e qytetarëve të sillen në këtë mënyrë kaq të papërgjegjshme. Ata nuk kanë aspak vullnet për bashkëpunim dhe as për gjetje të zgjidhjes dhe sipas të gjitha gjasave, mundësia e vetme është që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse vetëm ajo, si instanca e fundit, mund ta marrë një verdikt për zhbllokimin e gjendjes aktuale” – deklaroi Muhaxhiri duke theksuar se “Është e qartë që Lëvizja Vetëvendosje as nuk dëshiron ta themelojë vet Qeverinë dhe as nuk lejon opozitën ta marrë këtë të drejtë, sepse sikur të ishte e kundërta, kjo punë tashmë do të përfundonte”.

Advertisement