Connect with us

Politike

Kthupi i ‘Djathtas për Zhvillim’: Do kërkojmë rinumërimin e çdo vote, Qeveri teknike pas 11 majit

Kandidati për deputet i koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’ në qarkun e Durrësit, Rezart Kthupi, është shprehur se nëse preket vota e tyre në 11 maj, do të kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave.

Komentet Kthupi  paralajmëroi se të gjithë ata që prekin votën e qytetarëve do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit.

Ai tha gjithashtu se misioni i subjekteve të vogla politike në këto zgjedhje është që të pamundësojnë që PS dhe PD të arrijnë 71 mandate për ta formuar të vetëm qeverinë. Me pas sipas tij vendi do të kalojë në një qeverisje teknike dhe do të bëhen ndryshimet kushtetuese për kodin zgjedhor

“Nëse kam një detyrim, është ndaj sime bije që gjërat në Shqipëri të përmirësohen. Nëse kemi bërë disa beteja këto vitet e fundit, i kemi bërë me qëllimin për të bërë një ndryshim në jetën e qytetarëve.

Kemi tentuar të bashkohemi edhe me partitë e tjera për të formuar një pol të tretë, por na mungoi pjekuria politike dhe nuk arritëm të tejkalonim këto interesat e ngushta. Një pol i tretë do të ishte elektoralisht zgjidhja më e mirë kundër 2 dinozaurve të politikës. Votat këtu numërohen nga 2 partitë e mëdha. Edhe votat e shqiptarëve jashtë shqipërisë votohen nga 2 partitë e mëdha.

Ajo që duam të bëjmë është që të pamundësojmë PS dhe PD që të marrin një shumicë qeverisëse dhe pastaj të shembim këtë sistem duke ndërtuar një kod të ri elektoral dhe së dyti duke kaluar në një periudhë qeverisjeje teknike në Shqipëri.

Ajo që ka ndodhur vazhdimisht gjatë numërimit të votave, është deformimi i vullnetit të qytetarëve. Ajo që po u themi ne qytetarëve sot është se në momentin kur numërimi të numërojë, ne do të kërkojmë rinumërimin e të gjithë votave. Ta kenë parasysh që do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit”, tha Kthupi.

Advertisement