Bota
E thjeshtë dhe modeste! Kjo është dhoma ku Papa Françesku dha frymën e tij të fundit në Vatikan

Kisha Katolike është në zi nga vdekja e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë sot, të hënën e Pashkëve. Papa Françesku dhe vepra e tij konsiderohen të një rëndësie të madhe, megjithatë, një virtyt tjetër që e bëri të dallohej ishte se ai ishte një njeri modest, i cili madje zgjodhi të jetonte në bujtinë më të thjeshtë në Vatikan, Domus Sanctae Marthae (Shtëpia e Shën Martës), ku edhe vdiq.
Papa Françesku jetonte në Casa Santa Marta të Vatikanit që nga viti 2013 dhe ku edhe vdiq të hënën. Domus Sanctae Marthae ndodhet pranë Bazilikës së Shën Pjetrit dhe u përfundua në vitin 1996, gjatë papatit të Gjon Palit II. Ndërtesa përdoret kryesisht si strehim për klerikët që shërbejnë në Selinë e Shenjtë, por edhe si vendbanim i përkohshëm për anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve gjatë pjesëmarrjes së tyre në konklava papale për zgjedhjen e Papës së re.

Papa Françesku jetoi atje që nga zgjedhja e tij në 2013 deri në vdekjen e tij në 2025. Përpara ndërtimit të Domus Sanctae Marthae, kardinalët pjesëmarrës në konklave jetonin në Pallatin Apostolik, ku flinin në krevat marinari në hapësira të improvizuara në të gjithë pallatin, madje edhe në korridore apo edhe në zyra.
Kjo situatë u ndryshua me ardhjen e Papës Gjon Pali II, i cili porositi ndërtimin e Domus Sanctae Marthae.
Ndërtesa 5-katëshe përfshin 106 suita, 22 dhoma teke dhe një apartament. Megjithatë, Domus Sanctæ Marthae u përball me disa vështirësi gjatë ndërtimit të tij, pasi grupet italiane të mjedisit, duke përfshirë politikanë italianë, protestuan kundër ndërtimit, sepse do të bllokonte pamjen e bazilikës së Shën Pjetrit që gëzonin disa apartamente aty pranë.

