Bota
Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Vatikani: E zgjoi alarmi në 6, vdiq pas 1 ore nga një goditje në tru

Papa Françesku vdiq rreth 90 minuta pasi u zgjua nga alarmi i mëngjesit. Kështu raportojnë mediat italiane. Sipas deklaratës zyrtare të Vatikanit, Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe si pasojë e dështimit të pakthyeshëm të zemrës.
Ai thuhet se u zgjua kur alarmi i tij ra në 6 të mëngjesit, por gjendja e tij u përkeqësua menjëherë kur u sëmur në 7 të mëngjesit dhe vdiq nga një goditje në orën 7:35 të mëngjesit. Vatikani ka konfirmuar se Papa Françesku vdiq nga një goditje cerebrale dhe si pasojë e dështimit të zemrës.
“Goditja cerebrale çoi në koma dhe dështim të pakthyeshëm të zemrës,”-shkruhet në certifikatën e vdekjes të lëshuar nga Vatikani.
Raporti vjen rreth 12 orë pasi u njoftua për herë të parë vdekja e Papës. Mësohet se Papa Françesku kishte probleme të rënda shëndetësore, të cilat u përkeqësuan në vitet e fundit të jetës së tij. Ai vuajti veçanërisht nga sëmundje kronike të mushkërive dhe iu hoq një pjesë e njërës mushkëri në moshë të re. Më 14 shkurt, ai u shtrua në spitalin Gemelli me një krizë respiratore që u shndërrua në pneumoni të dyfishtë. Ai u shtrua në reanimacion për disa ditë dhe gjendja e tij u stabilizua.
Ai kaloi gjithsej 38 ditë në spital, shtrimi më i gjatë në spital gjatë papatit të tij.
Një ditë para vdekjes, dje të dielën e Pashkëve, ai ishte shfaqur në sheshin e Shën Pjetrit për të bekuar besimtarët. Në të njëjtën ditë, ai pati një takim të shkurtër me nënpresidentin e SHBA-së J. D. Vance.

