Connect with us

Politike

‘Berisha dhe Meta do ta ndryshojnë realitetin brenda 100 ditëve’

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë për braktisje të pensionistëve dhe kategorive më të pambrojtura të shoqërisë.

Në një deklaratë për mediat, ajo tha se pensionistët janë sot kategoria më e diskriminuar dhe se sipas saj, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të përmirësuar kushtet e jetesës së kësaj shtrese në 12 vite qeverisje.

“Pensionistët janë sot kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë. Qeveria e Edi Ramës, e cila për 12 vjet vetëm u mori votën, por nuk u rriti kurrë pensionet, pret edhe në këtë 11 maj që ata ta votojnë. Në të gjithë vendin janë 791 mijë pensionistë që shkojnë në kutitë e votimit me lista borxhesh në dyqanet ushqimore, me pamundësinë për të blerë ilaçet për të kuruar sëmundjet, me frikën a do t’ia dalin ta paguajnë faturën e energjisë në fund të muajit dhe me sytë nga paratë që u dërgojnë fëmijët për të mbyllur muajin. Në 12 vjet, qeveria e Edi Ramës nuk e mori mundimin t’ua lehtësonte jetën duke u rritur shpërblimin për kontributin e një jete të tërë. Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 160 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro”, tha Xhixho.

Në këtë kuadër, Xhixho prezantoi planin e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, i cili synon të ndryshojë realitetin brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

“Aleanca për Shqipërinë Madhështore e ka këtë plan dhe do ta bëjë realitet në 100 ditët e para. Do të vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar. Çdo pensionist, me pension të plotë apo të pjesshëm, më të ulët se 200 euro në muaj, çdo i papunë ose person në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë dhe çdo jetim do të marrë 200 euro në muaj. Rriten pensionet me 20%.  Çdo pensionist, qytetar me minimum jetik apo rrogë minimale (500 euro) do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjet e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaçeve, duke përfituar rreth 450 euro në vit. Për personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij, si dhe do të garantohen nga shteti të gjitha mjetet sanitare dhe ndihmëse që u nevojiten. Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë/kwh. Çmimi i naftës do të ulet me 35-40%. Falen të gjitha gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët”, tha ajo

Advertisement