Aktualitet
Pezullohet nga detyra një polic në Shkodër, publikoi një shkrim në një portal

Një efektiv policie në Shkodër është pezulluar nga detyra me vendim të drejtorit të Policisë vendore në atë qytet.
Bëhet fjalë për punonjësin e Policisë N/Komisar P. M., teksa shkak për pezullimin e tij nga detyra është bërë një shkrim që ai e kishte publikuar në profilin e tij në rrjetet sociale, dhe më pas shkrimi ishte publikuar në një portal online.
Sipas autoriteteve, në këtë rast, nënkomisari P.M. ka shkelur ligjin, teksa bëhet me dije se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj.
Duket se shkrimi ka të bëjë me fushatën elektorale, pasi Policia thotë se është institucion i administratës shtetërore, i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike.
Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:
“Pas konstatimit të një shkrimi të postuar në rrjetin social Facebook të tij nga punonjësi i Policisë N/Komisar P. M., dhe më pas është publikuar nga një portal, shkrim ky në shkelje të Ligjit të Policisë së Shtetit, ju informojmë se Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësit të policisë Nënkomisar P. M., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në DVP Shkodër, për shkelje të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m” – “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, dhe pika 2, germa “a” – “Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin ose të kufizimeve për shkak të funksionit”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht në luftën kundër krimit dhe paligjshmërive, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Në zbatim të nenit 6 të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, Policia është institucion i administratës shtetërore, i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike, tërësisht në funksion të zbatimit të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.”

