Connect with us

Politike

Balliu zbulon mesazhin kërcënues nga nipi i Boçit

Kandidatja e Primareve të PD për Elbasanin, Alesia Balliu, e cila mbeti jashtë garës së 11 Majit, duke e braktisur rrjedhimisht selinë blu, zbuloi mesazhe kërcënuese që i kanë mbërritur përmes Whats App.

Sipas Balliut, mesazhi kërcënues është dërguar nga nipi i Drejtuesit Politik të PD për Shkodrën, Luçiano Boçi, i cili ka qenë më parë ligjvënës i qarkut të Elbasanit.

“Më kanë kërcënuar individë të ndryshëm të PD. Pa diskutim që kanë emra dhe do t’i them te institucionet përkatëse. I kam çuar dhe do merren. E ke numrin e telefonit këtu, një mesazh personal e ke këtu. Dhe i kam thënë mos guxo të më shkruash më se do t’iu çoj në Prokurori”, tha Balliu, para se gazetari Myzyraj t’i kërkonte emra konkretë.

““Po ta dish që ke hap i lojë që se përballon dot. Mbaje mend kte fjalen time. Elbasani është i vogël o Alesia”, është mesazhi që Alesia Balliu i tregoi më pas kamerës në studion e “Off the Record”, e për të cilin pretendon se i është dërguar nga nipi i Luçiano Boçit.

“Nipi i Luçiano Boçit nga numri i vetë personal. Këto janë mesazhet, kjo është arsyeja përse i dola kundër unë kësaj partie o zotëri. Këto i kam rezervuar në media për të mirën e asaj partie. Këtu i ke me numër telefoni. Mund t’i çosh edhe vetë në Prokurori”, iu drejtua më pas Alesia, gazetarit Isa Myzyraj, i cili kërkoi me insistim të mësojë pse ajo reagoi kundër PD pasi u la jashtë listave të kandidatëve për deputet.

“Mesazhet, faktet flasin më shumë se fjalët tuaja. Unë nuk mund të heshtja. Kur ata donin që unë të heshtja me dhunë dhe çfarëdolloj metode për të kërcënuar një femër që kishte luftuar dhe kishte dhënë shpirtin për këtë parti, kjo është e turpshme. Dhe nuk e toleroj kur dikush do të më bëjë presion, të më mbylli gojën kur kërkoj të drejtën time. Merri, këtu i ke mesazhet, unë nuk fshij asgjë. Nuk mund të vish këtu të më gjykosh mua, kur individë nga kjo parti merren me kërcënime personale ndaj një femre që ka dhënë kontribut në këtë parti. Dhe faktin e kam këtu, sa kohë më gjykove ta tregova faktin.  E kam tërhequr vetë kandidaturën. Ditën që e kam ndjekur Sali Berishën dhe Foltoren ishte pikërisht që deputetët të mos i nxirrte kryetari. Dhe padiskutim që do t’i dilja kundër diçkaje që nuk e besoja se na bëri një fasade, një farsë Primaresh dhe më thoni hesht. Për çfarë të hesht unë për mungesën e garës. Nuk kam pse qëndroj te diçka që unë nuk e besoj më. I besova dhe e kam denoncuar me fakte. Për sa kohë unë e bëj vendimin tim publik dhe nga kjo parti unë marrë mesazhe kërcënuese”, shtoi më tej Alesia Balliu.

Advertisement