Connect with us

Bota

Plagoset një shqiptar në Zvicër! “Breshëri” plumbash në drejtim të makinës së tij, policia jep detaje

Një përplasje mes disa personave përfundoi në një incident të dhunshëm me armë zjarri të shtunën pasdite në Brugg AG, Zvicër, duke lënë të plagosur një shtetas nga Kosova.

Sipas njoftimit të Policisë Kantonale të Aargaut, disa të shtëna armësh u dëgjuan teksa një veturë BMV hapi zjarr ndaj një makine Skoda, e cila ndodhej e parkuar në një zonë parkimi.

Në Skodë ndodheshin dy persona, dhe njëri prej tyre, një 31-vjeçar nga Kosova, pati plagë nga armët e zjarrit dhe u transportua menjëherë në Spitalin Kantonal në Baden për trajtim mjekësor. Zona ku ndodhi ngjarja u rrethua nga forcat e policisë dhe u vu nën kontroll të rreptë sigurie, shkruajnë mediet e Kosovës.

Po ashtu, tensioni u zhvendos edhe në ambientet e urgjencës së spitalit në Baden, ku prania e policisë ishte e dukshme. Sipas portalit Blick.ch, forcat e rendit vendosën masa të shtuara sigurie në ambientet e spitalit për shkak të natyrës së rastit.

Autoritetet lokale bënë me dije se kanë identifikuar si të dyshuar kryesor një shtetas zviceran 24-vjeçar. Ai u ndalua më vonë gjatë ditës së shtunë, bashkë me një shtetas tjetër kosovar, dhe të dy janë marrë në ndalim të përkohshëm nga policia.

Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme lidhur me moshën e të dyshuarit të dytë apo nëse të dy ndodheshin në automjetin BMV në momentin e të shtënave. Prokuroria ka nisur procedurat penale, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe çdo lidhje të mundshme me incidente të tjera.

Advertisement