Connect with us

Bota

Mineralet e rralla nën tokë/ Pse SHBA synon ‘pasurinë’ sekrete të Ukrainës, marrëveshja e madhe

Ukraina zotëron depozita të konsiderueshme të mineraleve kritike, përfshirë mineralet e rralla të tokës. Mineralet si litiumi, titani, zirkoni dhe grafiti janë vitale për industrinë moderne.

SHBA-ja kërkon qasje në më shumë se 20 lëndë të para që i konsideron me rëndësi strategjike, përfshirë depozitat e titanit (që përdoret për krahët e aeroplanëve dhe prodhim të pajisjeve ajrore) dhe uraniumit (që përdoret për energji bërthamore, pajisje mjekësore dhe armë), siç shpjegon REL.

Ukraina gjithashtu ka rezerva të litiumit, grafitit dhe manganit – përbërës kyç për bateritë e makinave elektrike. Trump tha se marrëveshja “në teori” nënkupton se SHBA-ja do të përfitojë më shumë nga Ukraina sesa ka dhënë.

“Desha të jem i mbrojtur”, tha ai në një intervistë për NewsNation, duke shtuar se nuk donte të dukej “naiv” pa marrë kompensim për investimin. Më herët, në një mbledhje të kabinetit, Trump pati deklaruar se prania amerikane “do të mbajë jashtë vendit shumë aktorë të këqij – ose të paktën larg zonës ku do të bëhet nxjerrja”.

Mineralet e rralla janë bërë tepër të rëndësishme për ekonominë. Ato nevojiten mes të tjerash për prodhimin e përçuesve, telefonave celularë dhe makinave elektrike. Në epokën e dixhitalizimit, konsiderohen një aset i rëndësishëm strategjik. Secili prej metaleve ka veti që e bëjnë atë të vlefshëm për industrinë – disa janë madje të domosdoshme.

Metalet e rralla gjejnë aplikim edhe në prodhimin e dronëve, disqeve, lenteve teleskopike, raketave dhe avionëve luftarakë.

Advertisement