Rajon
Tentoi të vendoste lëndë plasëse në bankë për ta grabitur, momenti kur tritoli i shpërthen në dorë 38 vjeçares

Pamje tronditëse nga kamerat e sigurisë zbulojnë momentin e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi në orët e para të së shtunës në Selanik dhe i mori jetën një 38-vjeçareje me të kaluar kriminale.
Ngjarja u regjistrua pranë një filiali banke, në kryqëzimin e rrugëve Agiou Dimitriou dhe Platonos, ku dyshohet se gruaja po përpiqej të vendoste një mjet shpërthyes në një bankomat për ta grabitur.
Pamjet që qarkullojnë në mediat greke tregojnë se shpërthimi ishte jashtëzakonisht i fuqishëm, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në ndërtesa përreth, makina të parkuara dhe dyqane.
Vala goditëse ishte aq e fortë saqë banorët menduan se po ndodhte tërmet. Dritaret e apartamenteve në katet e sipërme u thyen, ndërsa një pjesë e tabelës së bankës u shkëput dhe ra mbi trupin e gruas, duke e bërë fillimisht të vështirë identifikimin e saj nga forcat e rendit.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, 38-vjeçarja — me origjinë nga Gjeorgjia — kishte një dosje të gjatë penale, përfshirë përfshirje në grabitje të armatosura, trafikim droge, falsifikim dokumentesh, prostitucion dhe armëmbajtje pa leje. Ajo ishte arrestuar më parë në vitin 2021 për strehimin e një grabitësi të njohur të bankave në Greqi dhe kishte vuajtur dënim në burgun e Korydallos.
Pas ngjarjes, policia dhe njësitë e antiterrorit izoluan zonën për orë të tëra, duke mbledhur çdo gjurmë materiale dhe video nga kamerat e sigurisë për të zbuluar nëse ishin të përfshirë edhe persona të tjerë.
Deri tani nuk është përjashtuar mundësia që mjeti shpërthyes të jetë vendosur me qëllim grabitjen e bankomatit për të marrë para nëpërmjet një shpërthimi të kontrolluar, por gjithçka përfundoi tragjikisht kur bomba shpërtheu ndërsa gruaja ishte ende pranë saj.
Sipas dëshmitarëve okularë, gruaja fillimisht e vendosi pajisjen shpërthyese pranë hyrjes së filialit të bankës dhe u largua, por u kthye disa minuta më vonë për të parë nëse gjithçka po shkonte sipas planit. Pikërisht gjatë kësaj përpjekjeje për të kontrolluar pajisjen, ndodhi shpërthimi që i preu një dorë dhe e la të gjakosur në vend.
Ndërhyrja e shpejtë e ambulancës nuk mjaftoi për të shpëtuar jetën e saj, ndërsa transportohej në spitalin “Ippokrateio” në gjendje të rëndë me plagë të rënda dhe gjymtime të rrezikshme për jetën.
Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Drejtorisë së Krimeve të Organizuar dhe me mbështetjen e Antiterrorit, duke u fokusuar në dy pista: një akt kriminal individual për përfitim ekonomik dhe një përfshirje të mundshme në ndonjë rrjet kriminelësh terroristë.
Zona e shpërthimit, përfshirë rrugët Agiou Dimitriou, Platonos, Olympou dhe Peloponnisou, mbetet e bllokuar për qarkullimin, ndërsa banorët ndihen ende të traumatizuar nga ajo që ndodhi pranë shtëpive të tyre. /noa.al

