Bota
Izraeli po shkel ligjet e luftës?/ Bllokada totale e ndihmave humanitare në Gaza

Konventat e Katërt të Gjenevës të vitit 1949 formojnë bazën e asaj që njihet si e drejta ndërkombëtare humanitare (DNH) ose ligjet e luftës. Ndër të tjera, ato përfshijnë detyrimet që fuqitë pushtuese kanë ndaj civilëve që jetojnë në territorin e pushtuar.
Në rastin e Gazës, territori palestinez konsiderohet i pushtuar dhe Izraeli është fuqia pushtuese.
Neni 55 i Konventës së Katërt të Gjenevës thotë se “Fuqia Pushtuese ka detyrën të sigurojë furnizimet ushqimore dhe mjekësore të popullsisë; në veçanti, ajo duhet të sjellë ushqimet, furnizimet mjekësore dhe artikuj të tjerë të nevojshëm nëse burimet e territorit të pushtuar janë të pamjaftueshme”.
Neni 59 përcakton gjithashtu se nëse popullsia e një territori të pushtuar nuk ka furnizime të mjaftueshme, fuqia pushtuese “do të bjerë dakord për skema ndihme në emër të popullsisë së lartpërmendur dhe do t’i lehtësojë ato me të gjitha mjetet që ka në dispozicion”.
Ky nen vijon se këto skema mund të organizohen nga shtetet ose grupet humanitare dhe do të konsistojnë, në veçanti, në sigurimin e dërgesave të ushqimeve, furnizimeve mjekësore dhe veshmbathjeve.
“Të gjitha Palët Kontraktuese do të lejojnë kalimin e lirë të këtyre dërgesave dhe do të garantojnë mbrojtjen e tyre”, thuhet në të.

