Bota
Kongresmenja republikane shpërthen kundër grupit Ivanka Trump-Kushner: Boll më me luftëra dhe investime jashtë, po na shkatërrojnë

Kongresmenia amerikane republikane, Marjorie Taylor Greene, ka ‘shpërthyer’ kundër grupit Ivanka Trump-Kushner.
“Bëra fushatë për të mos pasur më luftëra të huaja. Dhe tani supozohet se jemi në prag të luftës me Iranin”, ka thënë ajo.
Sipas saj, nuk duhet vijuar së bombarduari vende të huaja në emër të vendeve të tjera të huaja, veçanërisht kur ato kanë armët e tyre bërthamore dhe forcë të madhe ushtarake.
“Për më tepër, tani na thuhet se kemi nënshkruar një marrëveshje për të drejtat minerale në Ukrainë, në mënyrë që të na kthejnë mbrapsht qindra miliarda dollarë që i dhamë Ukrainës dhe ata i përdorën për pastrim parash, shitën armët që ne ua dhamë armiqve tanë, dhe udhëheqësi i tyre është një diktator që anuloi zgjedhjet, u përfshi në shkarkimin e parë të Trump dhe bëri fushatë për Biden”, ka vijuar ajo.
Greene sakaq ka ngritur një sërë pyetjesh për të përligjur qëndrimin e saj: A nuk e nxorëm mësimin tonë kur shkuam në luftë në Irak dhe vramë Sadam Husein për shkak të “armëve të shkatërrimit në masë”? Dhe a na bëri të pasur ajo naftë në Lindjen e Mesme?
Për të, përgjigja është jo. “Ne jemi 36 trilionë dollarë borxh sot”.
“Pse të shkojmë atje dhe do të pushtojmë Ukrainën dhe të shpenzojmë një sasi të pallogaritshme dollarësh të taksapaguesve amerikanë të ardhshëm duke mbrojtur dhe nxjerrë mineralet e tyre, si dhe duke vënë potencialisht jetët amerikane në rrezik dhe luftë në të ardhmen? Pse të mos i nxjerrim vetë mineralet tona të rralla që janë të lidhura në tokat federale që qeveria i konfiskoi vite më parë?”.
Ajo ka ravijëzuar se ka bërë fushatë për përgjegjësi për gjithë çka u zhvillua kundër popullit amerikan në katër vitet e fundit. “Po të gjithë njerëzit që u burgosën dhe abuzimin që përjetuan? Dhe kur do të mbahen ndonjëherë përgjegjës ata avokatë dhe gjyqtarë të egër për jetët që shkatërruan?”.
Po ashtu kongresmenia Greene ka thënë se bëri fushatë për t’i dhënë fund mashtrimit dhe abuzimit me paratë e taksave më të forta të popullit amerikan.
“Unë besoj se misioni i DOGE është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh sot në qeverinë tonë, megjithatë ku janë anulimet për të cilat duhet të votojmë në Kongres?”, ka pyetur ajo.
Sipas saj, natyra “ekstreme” e sistemit gjyqësor “mashtrues” është aq sfidues sa ka gjyqtarë që sfidojnë ligjet e vendit dhe bllokojnë deportimin e armiqve të mirëfilltë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ku është zemërimi dhe guximi moral për të hequr qafe këtë tradhti? Mjerisht jo në Kongres”.
Po integriteti i zgjedhjeve?
Për të, kjo duhet të jetë çështja më e rëndësishme që republikanët të luftojnë në mënyrë agresive për ta mbrojtur.
Sepse, sipas saj, “pa zgjedhje të sigurta, të mbrojtura nga votimi i paligjshëm dhe mbrojtje nga vjedhja e votave tona, populli amerikan ka humbur pushtetin e tij”.
Ndaj ajo ka bërë thirrje për t’i bërë mirë llogaritë pasi kur humbet bazën, Trump s’mund të jetë në të ardhmen në fletën e votimit.

