Aktualitet
PD trondit me deklaratën: 466 mijë shqiptarë rrezikojnë të drejtën e votës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, ka bërë një deklaratë për mediat duke ngritur shqetësimin për një numër të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë që nuk mund të ushtrojnë të drejtën e votës më 11 maj për shkak të mungesës së dokumenteve të vlefshme të identifikimit.
Sipas Bylykbashit, janë 466,000 qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe nuk disponojnë letërnjoftim ose pasaportë, një situatë që rrezikon të drejtat e tyre kushtetuese për të votuar në zgjedhjet e ardhshme.
Në një apel drejtuar qeverisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bylykbashi kërkoi të marren masa urgjente për të zgjatur vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit vetëm për arsye zgjedhore, për të siguruar që këta qytetarë të mund të shprehin të drejtën e tyre të votës më 11 maj.
DEKLARATË PËR MEDIA N/KRYETARI I PD, OERD BYLYKBASHI:
Sot janë 466 mijë shtetas me të drejtë vote të cilët nuk kanë një dokument të vlefshëm identiteti, as letërnjoftim, as pasaportë. Qeveria Shqiptare zgjati vlefshmërinë vetëm për zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke diskriminuar ata që janë në Shqipëri.
Ky diskriminim është antikushtetues dhe rrezikon të drejtën e votës së këtyre 466.000 shtetas që banojnë në Shqipëri, dhe më 11 maj duan të votojnë e të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese. I kërkojmë qeverisë që pa vonesë të nxjerrë aktin normativ dhe të zgjatë vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit vetëm për arsye zgjedhore, që këta shtetas më 11 maj të kenë mundësi të votojnë.
I kërkojmë KQZ, si organi suprem në mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të kërkojë me forcë pranë qeverisë në mënyrë që këta shtetas të kenë mundësi që të votojnë. Gjithashtu tërheqim vëmendjen e mekanizmave ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve, siç është OSBE-ODIHR, OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, që të vënë në dukje këtë shkelje të të drejtave të shqiptarëve.
Kjo të bëhet tani, menjëherë, në mënyrë që më 11 maj të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën të shprehen për ndryshimin, për të ndryshuar këtë regjim autokratik.

