Politike
Nga Shkodra në Lezhë/ Kreu i SPAK, Altin Dumani “tur” nëpër Prokurori: Jini vigjilent

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani pas një takimi të zhvilluar me prokurorët dhe zyrtarë të lartë në Shkodër, është ndaluar në Prokurorinë e Lezhës. Dumani po zhvillon një takim me kryeprokurorin Arben Nika, ku në fokus janë krimet zgjedhore.
Në mbledhjen me prokurorët në Shkodër, Dumani deklaroi se SPAK ka procedime konkrete lidhur me krimet zgjedhore dhe se pritshmëritë janë të mëdha. Ai ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote, personat që bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në Polici dhe Prokurori dhe të mos neglizhohen si raste.
Mëngjesin e sotëm me urdhër të SPAK, agjentët e BKH zhvilluan kontrolle në disa zona të Shkodrës, përkatësisht në Malësi të Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë në kuadër të parandalimit të krimeve zgjedhore. Në lidhje me aksionin burime bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona, ndërsa janë ndaluar disa të tjerë.

