Connect with us

Shkrime

Haberi për Berishën nga SHBA, një supë e holluar me ujë që nuk tregon se statusi ka ndryshuar

Nga Skënder Minxhozi

Domethënë Partia Demokratike harxhoi gjashtë milionë dollarë dhe sa e sa miliona të tjera ende të padeklaruara, vetëm që një gazetar të pyeste në Departamentin e Shtetit a udhëton dot shefi i opozitës shqiptare në SHBA?!

Kjo është trokitja më e shtrenjtë e një medie në një derë institucioni, ndërkohë që vetë institucioni mund të kishte ndjekur rrugët zyrtare për t’i hequr non gratën Sali Berishës.

Rruga që lobistët e Berishës dhe ish-zyrtarë të DASH gjetën për të thënë që kreu i PD nuk është më non grata, është ajo e derës së pasme të Departamentit. Ky është një variant poshtërues më shumë sesa dritë jeshile.

Nuk u bë ajo që ndodhi me stafin e Viktor Orban. Pra që të hiqej statusi ‘non grata’ me vendim zyrtar të administratës amerikane. U gjet një gazetar që bëri një pyetje a thua se Berisha donte të shkonte me pushime në Amerikë. Shumë pak, shumë vonë!

Tashmë ndodhemi përballe një gjetjeje emergjence, më shumë sesa përballë një ndryshimi zyrtar të një qëndrimi amerikan ndaj një politikani ballkanik. Interesimi i gazetarit amerikan për të marrë një mesazh online është një zgjidhje e sforcuar që nuk ngop askënd. As personin e shpallur non grata, as partinë që drejton dhe aq më pak shqiptarët që mbajnë shënim në sfond.

Është një supë e holluar me ujë që nuk ofron asnjë garanci se statusi i doktorit ka ndryshuar.

Advertisement