Connect with us

Politike

Skandal zgjedhor/ Akuza për blerje votash, SPAK nis hetimet urgjente ndaj kandidatit të PD

Policia e Dibrës ka dërguar për procedim në SPAK kandidatin për deputet të Partisë Demokratike në këtë qark për zgjedhjet e 11 majit, Xhemal Gjunkshi dhe 3 persona të tjerë, pasi bllokuan një makinë me përfaqësues të PS mbrëmjen e djeshme në Maqellarë, nën dyshimin se po bliheshin vota.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 të mbrëmjes së djeshme, teksa vetë Gjunkshi ka telefonuar Policinë për makinën që kishin bllokuar nën dyshimin e blerjes së votave, teksa brenda saj ndodheshin dy persona.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, materialet janë referuar pranë SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe veprat “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”.

“Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.

Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.

Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.”– njofton policia

Advertisement