Politike
Zgjedhjet 2025/ Incidentet, problematikat dhe pjesëmarrja, çfarë po ndodh në qendrat e votimit

Qytetarët shqiptarë u janë drejtuar ditën e sotme qendrave të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë, ndërsa 2.046 kandidatë garojnë për 140 vende në Parlament.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, për të vijuar më tej me procesin e numërimit të votave.
Të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.
114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë. Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.
Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.
Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.
- Votojnë liderët politikë
Kreu i PD Sali Berisha ka votuar në shkollën “Kosova” në Tiranë rreth orës 10:00 ndërsa kryeministri Edi Rama në zonën e Surrelit, rreth orës 10:30. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, votoi i veshur kuq e zi në ambientet e IEVP “Jordan Misja”.
Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, votoi në orën 08:30, pranë Çerdhes nr. 13 në Njësinë 8, në rrugën Demir Gashi. Po në të njëjtën orë, kryetari i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj votoi në Shkollën e Mesme Ekonomike, në rrugën ‘Myrtezim Këlliçi’.
Gjithashtu, në orën 11:00, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, së bashku me bashkëshorten e tij, votuan në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, në Njësinë 5 në Tiranë.
- Pjesëmarrja deri në orën 16:00
Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 16:00 kanë marrë pjesë në votim 35.92 përqind e zgjedhësve.
Qarku që ka votuar më shumë është Dibra, me 45.1 përqind, ndërsa edhe qarku Tiranë ka pjesëmarrje të lartë me 39.77 përqind.
Më ulët në pjesëmarrje në zgjedhje është Vlora, me 26.23 përqind.

- Vota e diasporës/ Ja sa zarfe kanë mbërritur në çdo qark
Të paktën 187,916 vota nga diaspora kanë mbërritur deri më tani. Afati i fundit i pranimit të zarfeve është ora 19:00, më pas asnjë nuk do të pranohet.
Së fundmi, kanë mbërritur 7300 vota, mbi 5000 prej të cilave janë nga Greqia. Kështu votat që kanë mbërritur nga shteti fqinj shkojnë në rreth 50 mijë nga 68 mijë në total.
Tirana mban numrin më të lartë të votave me 16.7%, ndjekur nga Fieri me 10.2%, Durrësi me 7.9% dhe të tjerët.
Numërimi i votës se diasporës është i kushtëzuar nga fillimi i numërimit të qarqeve respektive.
Zarfet e mbërritura sipas shteteve:
Itali 72,290 ose 29.4%
Greqi 49,975 ose 20.3%
Gjermani 20,176 ose 8.2%
SHBA 16,401 ose 6.7%
Mbretëria e Bashkuar 11,639 ose 4.7%
Franca 3,805 ose 1.5%
Kanada 2,926 ose 1.2%
Zarfe të mbërritura sipas qarqeve:
Tiranë 41,188 ose 16.7%
Fier 25,083 ose 10.2%
Durrës 19,462 ose 7.9%
Elbasan 18,834 ose 7.7%
Korçë 15,806 ose 6.4%
Vlorë 14,950 ose 6.1%
Shkodër 13,251 ose 5.4%
Berat 11,671 ose 4.7%
Lezhë 11,403 ose 4.6%
Dibër 7,244 ose 2.9%
Gjirokastër 6,253 ose 2.5%
Kukës 2,771 ose 1.1%
- Problematikat gjatë procesit të votimit
Në njësinë administrative në Labinot Fusha, në njërën nga dy qendrat e votimit, procesi i votimit ka nisur tre orë me vonesë. Shkak është bërë mungesa e një operatori teknik, i cili do të vinte në zbatim pajisjen e identifikimit biometrik për qytetarët.
Ndërkohë, procesi i votimit në Qendrën e Votimit nr. 2447 në Papër të Elbasanit është ndërprerë përkohësisht, pasi oficerë të Policisë dhe përfaqësues të Prokurorisë janë njoftuar për parregullsi gjatë zhvillimit të votimeve. Përfaqësues të forcave të rendit dhe të organit të akuzës kanë mbërritur në qendër për të hetuar situatën, ndërsa palët përkatëse janë duke dhënë deklarimet e tyre zyrtare. Pritet që pas përfundimit të verifikimeve ligjore, procesi i votimit të vijojë normalisht.
Në një nga qendrat e votimit në Shijak, konkretisht në qendrën me numër 1393/1, e vendosur në ambientet e shkollës “16 Shtatori”, janë hasur probleme me identifikimin biometrik të votuesve. Pajisja nuk ka arritur të njohë shenjat e gishtërinjve të dy votuesve, gjë që ka çuar në hartimin e një procesverbali, sipas kryetarit të QV-së Orman Vora, për rastin.
Sekretari i Qendrës së Votimit 3209/1 në Topojë të Fierit, ka marrë vulën me vete duke bllokuar procesin e votimit. Ai tregon se u udhëzua nga strukturat e PD që përfaqëson në komision për të vepruar në atë formë pasi po ndodhin shumë parrregullsi dhe nuk po merrej asnjë masë për tu parandaluar.
“Kishte votime familjare, patronazhistë ndaj u largova, mora udhëzimin e strukturave”-tha ai.
- Fotografim vote/ Procedohen dhe arrestohen disa qytetarë
Dy procedime penale ka nisur prokuroria e Elbasanit sot teksa mësohet se njëri rast ka të bëjë me fotografimin e votës dhe një rast tjetër me votim familjari në Bradashesh. Policia bën me dije se një grua M.C., 56 vjeç ka fotografuar votën e saj gjatë procesit të votimit në lagjen “5 Maj”.
Një 56-vjeçare në Tiranë është arrestuar nga policia, pasi ka fotografuar fletën e votimit. Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë në Komisariatin Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se një shtetase në shkollën “Ali Demi” kishte fotografuar votën dhe më pas ishte larguar, organizuan punën, identifikuan, shoqëruan dhe arrestuan në flagrancë shtetasen A. H., 56 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Po ashtu, policia e Tiranës ka vënë në pranga 2 shtetas të tjerë të cilët fotografuan fletët e tyre të votimit. Konkretisht në pranga u vunë H. D., 57 vjeç dhe R. L., 28 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Një 34-vjeçar u arrestua po ashtu në Tiranë pasi fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale.
Ndërkohë, një qytetar i cili ka fotografuar votën në Librazhd është spikatur nga komisionerët. Megjithatë, qytetari nuk e ka pranuar një gjë të tillë dhe ka tentuar të dalë nga dritarja e qendrës së votimit. Për këtë arsye për më tepër se 30 minuta në këtë qendër është ndërprerë votimi.
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 30-vjeçar, shtetasin M.P. nga Këlcyra, i cili gjatë votimit rreth orës 15:00 dyshohet se ka fotografuar votën.
- SPAK regjistron 4 raste për krime zgjedhore në Berat
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar 4 raste për krime zgjedhore në qarkun e Beratit.
Rastet e regjistruara janë për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Kjo vepër penale parashikon dënim nga 1 deri në 5 vite heqje lirie.
- Përplasje fizike në Vorë, Lushnje, Gjirokastët dhe Pogradec
Fushë-Milot – Një konflikt mes dy shtetasve është regjistruar në ambientet pranë shkollës 9-vjeçare “28 Nëntori”, ku është ngritur QV 0871, Fushë-Milot. Personat e përfshirë në përplasje janë identifikuar si Kastriot Preng Perdoda dhe Asti Lleshi.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka nisur fillimisht brenda perimetrit të sigurisë së qendrës së votimit në formën e një debati verbal mes dy personave. Më pas, konflikti ka vijuar jashtë këtij perimetri, ku dyshohet se shtetasi Kastriot Perdoda ka shtënë një herë në ajër me armë zjarri. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Lushnje – Përplasje fizike janë shënuar në një qendër votimi në Lushnjë mes komisionerëve të PD dhe PS.
“S’ka burrë nëne”, është dëgjuar të thotë njëri prej tyre.
Sipas komisionerëve të pranishëm, komisionerët e PD janë ankuar se ata të PS kanë filmuar votat e qytetarëve.
“Në mëngjes kanë ardhur anëtarët bashkë me sekretarin dhe kryetarin, anëtari i PD ka kërkuar të mbyllen kamerat, në atë moment ka ndodhur përplasja e parë. Më pas u mbyllën kamerat. Ka pasur pretendime nga anëtari i PD se ai i PS po bënte foto”, ka thënë njëri prej komisionerëve.
Pas këtij incidenti, votimi është pezulluar.
Vorë – Po ashtu, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka debatuar me një grup militantësh të PS-së në Vorë. Noka thotë se qytetarët janë paguar nga socialistët për të votuar PS.
Nga ana tjetër militanti socialist e kanë quajtur mashtrues, ndërsa njëri prej tyre i tha Nokës se ka dërguar njerëz në shtëpinë e tij.
Qytetarja: Një demokrat nuk e bën gishtin kështu.
Qytetari: E gjeni një qytetar të Vorës të pranojë fjalët e këtij, është mashtrues
Noka: Do ta shohim pas 11 majit
Qytetari: Pas 11 e pas 12. Ke sjellë njerëz tek shpia, jam Bert Xhabafti. Unë shkoj me votu ti thua mos hy këtu. Ore mashtrues. Si më sjell njerëz të pish kafe me mu. Nuk ju dua se keni vrarë njerëz dhe fëmijë.
unë kam ardh me avion me votu.
Noka: Do të të zvarris.
Qytetari: Jam qytetar
Noka: Ti je horr, jo qytetar.
Pogradec – Një tjetër konflikt ka ndodhur pranë qendrës së votimit në shkollën “Muhamer dhe Esat Minarolli” në qytetin e Pogradecit. Në ambientet e jashtme të kësaj qendre është shënuar një përplasje fizike, ndërsa ende nuk dihen shkaqet dhe personat e përfshirë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë.
Gjirokastër – Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i PD në Gjirokastër, Armando Rabi, ka denoncuar shkeljet gjatë procesit të votimit në këtë qark.
Në një postim të bërë rrjetet sociale, Rabi i bën thirrje organeve kompetente për reagim, pasi drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Gjirokastër dhe kryetari i PS, Gentian Llogo, është futur brenda qendrës së votimit në shkollën ‘Naim Frashëri’. Sipas tij, zyrtari i PS ka shkelmuar portën e shkollës, ndërsa është futur në qendrën e votimit duke intimiduar komisionerët.
- “Patronazhistët” intimidojnë qytetarët
Sarandë – Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka publikuar pamje ku njerëz të panjohur dhe me “bekimin” e Ramës thyejnë çdo ligj duke u stacionuar në qendrat e votimit në Sarandë.
“Patronazhistet në aksion! SKANDALI
Me lista me numër id dhe të dhëna personale të marra në shkelje të ligjit, qëndrojnë pranë qëndrës së votimit 4664, përkatësisht SOS BAR në Sarandë, për të intimiduar dhe monituar zgjedhësit. Ta dinë patronazhistet se janë të monituara dhe do e marrin përgjigjen e merituar”, shkruan Zhupa teksa publikon foton më poshtë:
Kamëz – Ndërkohë, në ambientet jashtë qendrës së votimit pranë Kopshtit Publik në Kamëz, qytetarët raportojnë për intimidim dhe pengim nga zyrtare të larta të bashkisë. Sipas burimeve në terren, Rajmonda Laçka, sekretare e kryebashkiakut Rakip Suli, dhe Migena Habibi, nënkryetare e Bashkisë Kamëz, janë parë duke ndërhyrë dhe ndaluar qytetarët, duke iu dhënë atyre direktiva në mënyrë të paautorizuar.
Prania e këtyre zyrtareve në afërsi të vendvotimeve, jashtë çdo funksioni ligjor në procesin zgjedhor, ka ngjallur shqetësim mes qytetarëve dhe ka ngritur dyshime mbi përfshirjen e institucioneve lokale në presion politik.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për të garantuar një proces të lirë dhe të ndershëm, si dhe për të hetuar veprimet e zyrtareve në fjalë.
Memaliaj – Komisionerët e opozitës kanë kapur në flagrancë patronazhistin Ilir Ruka, punonjës i ISHSH Gjirokastër, në një qendër votimi.
Sipas raportimeve, Ruka ishte duke orientuar deri në kutinë e votimit 10 persona për të votuar për Partinë Socialiste. Ky veprim është një shkelje flagrante e ligjit dhe mund të ndikojë negativisht në integritetin e procesit zgjedhor.
Komisionerët e opozitës kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për të hetuar këtë ngjarje dhe për të siguruar një proces të ndershëm dhe të drejtë zgjedhor.
- Opozita: Njerëz të armatosur në qendra votimi në Lushnjë
Opozita ka denoncuar gjatë gjithë ditës së sotme mënyrën se si po vepron mazhoranca për të manipuluar zgjedhjet e 11 majit. Kandidati i PD, Saimir Korreshi tha se ka grupe të armatosura që përpiqen të intimidojnë qytetarët në Lushnjë.
“Janë të armatosur nëpër qendra, sa herë futet një makinë që s’e njeh fusin duart, ia kam dërguar shefit të komisariatit, u përballa me 3 grupe, nuk janë as nga zona. I kemi me surrat, makinat e të gjitha, sa tentohet të hyet, ky fuste dorën në marsup, është një Golf dhe një Benz, asnjë s’është nga Lushnja, çdo makinë bën patronazhimin, kë s’njohin tentojnë ta intimidojnë”, tha Korreshi.
- Kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR: Të hënën paraqesim raport
Lamberto Zannier, kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR ka bërë një deklaratë për shtyp nga KZAZ nr. 41. Ai tha se janë duke e parë procesin në pozicionin e vëzhguesit dhe do të ketë një përfundim përmes një raporti. Të hënën në orën 15:00 do të paraqitet raporti përmes një konference për shtyp.
“Ne jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për të vëzhguar që këto zgjedhje janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e Shqipërisë kundrejt BE-së. Kjo është një nga qendrat e shumta të votimit ku jemi ne sot. Si OSBE-ODIHR ne kemi 240 vëzhgues por gjithashtu janë 135 të tjerë që janë nga vendet anëtare të OSBE dhe janë nga Parlamenti Europian. Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit por ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Sigurisht ne kemi vëzhguar edhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit. Nesër do të kemi një konferencë për shtyp. Konferenca do të jetë nesër në orën 15:00 në “Rogner” dhe jeni të gjithë të ftuar aty. Nuk do të ishte domethënëse nëse do t’ju jepja një mendim sot sepse unë jam vetëm një person në një qendër votimi për momentin. Sigurisht që unë jam duke mbledhur informacion dhe kam ardhur në këtë qendër votimi sepse është një nga angazhimet e Shqipërisë që 10% e votimit të jetë elektronik. Një pjesë e vlerësimit tonë do të jenë edhe procedurat e votimit elektronik”.
I pyetur se ç’mendon për faljen e gjobave të makinave nga kryeministri Rama dy ditë para zgjedhjeve, Zannier tha:
“Nuk mund të flasim për çështje individuale për raste specifike. Do të flasim për këtë nesër kur të bëjmë vlerësimin”.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me KQZ duke e quajtur “transparent” dhe “të drejtë”.
“Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me KQZ. Në këndvështrimin tim deri tani është shumë transparent dhe shumë i drejtë ky bashkëpunim”.
Gazetarët e pyetën edhe për rastet e blerjes së votave, por ai sërish tha se gjithçka do të reflektohet në raport.
“Ju e keni parë raportin tonë paraprak ku kemi thënë që ne po i ndjekim çështjet që janë vëzhguar më përpara dhe nesër do të paraqesim vëzhgimin tonë”.

