Connect with us

Politike

Kadilli: Nuk largohet Rama me kërcënime e ulërima, do fitojë prapë dhe mandatin e 5-të

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, kritikoi ashpër drejtimin dhe modelin politik të PD-së, ndërsa u shpreh se Partia Socialiste është në rrugë për të fituar mandatin e pestë qeverisës nëse PD vazhdon me këtë model.

“PD ka modelin politik të gabuar. I flet militantit, nuk i flet shoqërisë,” u shpreh Kadilli për Vizion Plus, duke theksuar se e shkuara nuk mund të shndërrohet në të ardhmen dhe duke kritikuar rikthimin e figurave të vjetra në krye të partisë. Ai kujtoi edhe zgjedhjet e vitit 2009, kur PD mbeti në pushtet sipas tij vetëm “se na pa Zoti“.

Kadilli u ndal edhe te klima e brendshme në PD, ku sipas tij forcat janë të kontrolluara plotësisht nga lideri, duke i lënë vendin një kulture politike të mbyllur dhe jo meritokratike.

“Një nga kriteret që ka Berisha për të dhënë pushtet është të mos e duash politikën,” tha ai me një ton ironik dhe të zhgënjyer.

“Fati i madh që nuk u vra njeri këtë herë,” shtoi Kadilli, duke përmendur tensionet e mëparshme politike dhe duke vënë në dukje një klimë më të qetë këtë radhë.

Në përfundim, Kadilli parashikoi një fitore të thelluar të PS-së: “Edhe mandatin e pestë do e marrë prapë PS. Nuk largohet Edi Rama me të bërtitura, me molotov, me kërcënime. Largohet me urtësi, me pastërti.”

Deklaratat e tij vijnë në një moment ku rezultatet paraprake të zgjedhjeve tregojnë një avantazh të Partisë Socialiste, ndërsa PD përballet me kritika të brendshme dhe një performancë më të dobët se pritej.

Advertisement