Connect with us

Politike

Numërimi në Himarë drejt fundit, kryebashkiaku Tavo: Rezultati përtej pritshmërive

Edhe pse me ngadalësi si proces, grupet në Himarë ia dolën të hënën që të çojnë drejt fundit numërimin e votave për subjektet politike, duke lënë pas vetëm një kuti nga Vranishti deri në orën e raportimit, në 9:45.

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, i cili e ndoqi nga afër procesin, deklaroi për RTSH se grupet e numërimit do të kalojnë më tej te votat për kandidatët për deputetë.

Janë të lodhur edhe komisionerët e KZAZ-së, por edhe numëruesit, kështu që është rënë dakord me konsensus që të ketë disa orë pushim për të rifilluar me numërimin e fletëve të votimit për kandidatët,” u shpreh z. Tavo.

Për sa i përket rezultatit, kur janë numëruar 35 nga 35 qendra votimi gjithsej, në Himarë udhëheq Partia Socialiste me 50,45% të votave, ndjekur nga koalicioni PD–ASHM me 39,05% dhe koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet në vendin e tretë, me 5,49%.

Rezultati është përtej pritshmërive. Për të qenë i sinqertë jemi më mirë sesa në zgjedhjet e 4 gushtit, si numër votash PS-PD në këtë bashki. Ajo që vlen të theksohet në Himarë është që më në fund, për herë të parë, po bëhet një proces zgjedhor i qetë, pa asnjë problem, pa asnjë konflikt, pa u bërë siç ka qenë shpesh në faqet e para të gazetave apo si lajm i parë, si një bashki me probleme, sidomos gjatë proceseve zgjedhore,” tha kryebashkiaku Tavo.

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale në rang kombëtar

Advertisement