Kosova
Kosovari i akuzuar për krime kibernetike ekstradohet në SHBA

Një shtetas i Kosovës është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për krime kibernetike në dëm të qytetarëve amerikanë, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ndaj Liridon Masuricës, 33-vjeçar nga Gjilani, i njohur si “@blackdb”, rëndojnë akuzat për konspiracion për mashtrime dhe për përdorim dashakeq të 15 apo më shumë instrumenteve të paautorizuara elektronike.
Nëse shpallet fajtor, Masurica mund të dënohet me burgim në kohëzgjatje maksimale prej 55 vjetësh.
Masurica ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 12 dhjetor 2024, ndërsa është ekstraduar në SHBA më 9 maj, në përputhje me marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekstradimi i Masuricës “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis”.
Sipas saj, “ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, është shprehur ajo.
Ekstradimin e ka përshëndetur edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila ka vlerësuar “bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

