Connect with us

Politike

Edith pas humbjes: Eja të rezistojmë se na vodhën, do ta vazhdoj betejën time me përkushtim

Kandidatja e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Edith Harxhi, ka reaguar pas humbjes së thellë të partisë së saj në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Harxhi ka theksuar disa faktorë që ajo beson se ndikuan në këtë rezultat negativ, duke përfshirë krimin e organizuar, varfërinë e popullit, përçarjen brenda opozitës dhe zhvillimet gjeopolitike aktuale. Ajo gjithashtu ka ofruar një mesazh për PD-në, duke theksuar nevojën për një reflektim të brendshëm dhe një hapje të partisë për të rritur besimin te mbështetësit.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq, të dashur demokratë dhe qëndrestarë të votës së lirë,

Më është dashur disa ditë të kuptoj gjithëçka që ka ngjarë në 11 maj dhe më tej e për këtë arsye nuk munda të shprehem më parë.

Kjo që ka ndodhur në vendin tonë quhet juntë elektorale, patronazhim industrial alla sigurim i shtetit. E ndjej veten të pamundur ende të bëj një analizë për këtë gjëndje dhe shkulje nga binarët të shtetit dhe qytetarëve por mendoj se një kapje e tillë në përmasa tragjike por edhe komike deri diku, ka disa faktorë:

  1. Neronin dhe bandën e tij narkomane që bëjnë gjithëçka për të mbajtur pushtet fhe ruajtur interesat me çdo mjet të dhunshëm.
  2. Popullin e varfër, të pandërgjegjshëm, të frikësuar dhe të kapur nga rregjimi në disa raste.
  3. Opozitën që e vranë, e shkatërruan, e përçanë, e përbuzën dhe në fund e lanë në mëshirë të votës së kapur e tjetërsuar, por edhe problemeve të saj për tu ringritur siç duhet me vlera dhe moral.
  4. Situatës së ndërlikuar gjeopolitike ku pavarësisht sa të vegjël jemi ndikohemi lehtë nga përplasjet e mëdha dhe kahjet gjeostrategjike si të aleatit tonë të madh Amerikës ashtu edhe Europës në të cilën bëjmë pjesë. E në këtë teatër gjeopolitik Kllounët diktatorë (si ky i yni) luajnë pjesën e tyre.

Unë ndihem e nderuar që isha pjesë e një fushate ku unë dhe ne dhamë gjithëçka. Falenderoj me shpirt gjithë mbështetësit, ndjekësit, miqtë e mi, ata që më votuan dhe ata që nuk më votuan sepse kishin preferenca të tjera brenda llojit, të gjithë ata që më dëgjuan, më folën, më besuan, që i pashë në sy dhe më dhanë dorën. Kjo nuk ishte garë e ndershme në çdo aspekt, e megjithatë unë mora më të mirën e saj, takimin me shumë prej jush e shumë të tjerë që nuk më lexojnë dot këtu në FB. Falenderoj me zemër punëtorët e Partisë Demokratike, anëtarët e saj dhe qëndrestarët.

Unë jam luftarake dhe beteja ime është e moralshme. Do ta vazhdojë me po aq përkushtim sa në themelim, në rithemelim e më tej deri sa vlera të fitojë mbi antivlerën, e për këtë do të vazhdoj të kërkoj me ngulm që ne të shohim nga vetja, të hapim partinë dhe të vlerësojmë qëndrestarët në rradhë të parë sepse vetëm kështu arrijmë të ngrejmë besimin.

Ju falenderoj me mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme, unë mbetem ajo që isha në dhjetor 1990 dhe në dhjetor 2021 pa asnjë ndryshim… ju ftoj në rezistencë….

Advertisement