Connect with us

Politike

Beleri: Votat e Greqisë janë mbushur nga e njëjta dorë

Europarlamentari Fredi Beleri, ka deklaruar se, zgjedhjet në Shqipëri janë blerë. Sipas tij, tre janë arsyet kryesore që ka ndodhur kjo gjë.

Gjatë bisedës me moderatorin Adi Krasta, Beleri ka veçuar mediat, që sipas tij, janë kthyer në opozitë të opozitës.

Ndërkaq, ai theksoi se votat e diasporës, sidomos ato në Greqi janë mbushur nga e njëjta dorë.

‘Të gjithë shqiptarët që votuan të dielën, po ti ndiqni të hënën kërkonin vizë për të ikur nga Shqipëria. Kaq të lumtur janë, pra është një gjë që nuk funksion.

Nuk ka vend në botë që pas 12 vitesh qeverisje, konsumimin të mos e ketë qeveria, por ta ketë opozita.

Kjo ndodh për arsye se, shumica e medieve në Shqipëri, i bëjnë opozitë, opozitës në Shqipëri.

Mediat kanë si synim, si mision që të gjykojnë qeverinë që të bëhet më e mirë.

E dyta, nuk e them unë, e thonë vëzhguesit e OSBE-ODIH dhe misioneve vëzhguese që ishin në Shqipëri.

Tre janë arsyet.

E para; administrata dhe shteti ishte në shërbim të qeverisë,

E dyta; mediat ishin të njëanshme,

E treta; kishte blerje masive votash. Votat e emigrantëve po ti shikosh, sidomos ato që vijnë nga Greqia, janë të mbushura nga e njëjta dorë, me të njëjtin stilolaps dhe e palosur në të njëjtën mënyrë.

Është bërë një vjedhje që i ka kaluar vjedhjet e mëparshme.

Kjo është një gjë që pritej.

Opozita shqiptare para 1 viti thoshte se, me këtë kryeministër nuk shkohet në zgjedhje, se nuk do të ketë zgjedhje. Nuk kuptuam kurrë arsyen se pse u tërhoq opozita nga kjo kërkesë legjitime.

Edi Rama është ai kryeministër që u plotëson teka ndërkombëtarëve. Pyetja për shqiptarët, është sa i shërbejnë Shqipërisë këto.

Macron dhe Meloni kanë një interes dhe këtë interes ua mbron Rama. Nuk besoj se nëse do vinte PD në pushtet do të ishte kundër Europës.

Në Shqipëri kemi një gjë shumë të mirë, ka parti pro europiane dhe 90% e popullisë janë pro BE-së dhe pro perëndimit.

Unë nuk njoh asnjë politikan shqiptar që nuk e do integrimin.

Shqiptarët duhet të kuptojnë, nëse kjo qeveri i mbron interesat e shqiptarëve’, tha ndër të tjera Fredi Beleri

Advertisement