Bota
Erdoğan thotë se bota turke është “e paplotë” pa Republikën Turke të Qipros Veriore

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka thënë se bota turke është “e paplotë” pa përfshirjen e Republikës Turke të Qipros Veriore në Organizatën e Shteteve Turke.
“Ne besojmë se fotografia familjare e botës turke do të jetë gjithmonë e paplotë pa praninë e Republikës Turke të Qipros Veriore”, ka thënë Erdogan në samitin informal të Organizatës së Shteteve Turke në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë.
Në nëntor 2022, Republika Turke e Qipros Veriore u bë anëtare vëzhguese e organizatës gjatë Samitit të Samarkandit.
Erdogan e quajti gjithashtu Korridorin e Mesëm një rrugë kyçe midis Lindjes dhe Perëndimit, duke kërkuar bashkëpunim më të fortë brenda Organizatës së Shteteve Turke për suksesin e tij.
Duke folur për konfliktet rajonale të së kaluarës dhe të tashmes, ai ka thënë se “tragjeditë që ndodhën në të kaluarën në Qipro, Karabak, Bosnjë dhe sot në Gaza na kujtojnë se duhet të marrim në konsideratë edhe atë që ndodhet përtej kufijve tanë”.
Lidhur me luftën e vazhdueshme në Ukrainë, Erdogan ka thënë se “ne do të vazhdojmë kontaktet tona intensive me të dy vendet (Rusinë-Ukrainën) drejt arritjes së një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe një paqeje të drejtë”.

