Politike
“Pas 14 muajsh refuzime…”/ Avokati i Veliajt përgatit dosjen për Strasburg
Avokati ndërkombëtar i Erion Veliajt, Ben Brandon, ka bërë të ditur se ekipi ligjor i kryebashkiakut të Tiranës ka nisur përgatitjen e një aplikimi që pritet t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Gjatë një deklarate për mediat, në krah të avokatit Plarent Ndreca, Brandon tha se ai dhe ekipi i tij kanë zhvilluar takime me Veliajn në paraburgimin e Durrësit për të përgatitur çështjen që do të paraqitet në Strasburg.
Sipas tij, për një periudhë prej rreth 14 muajsh kërkesat për akses të përfaqësuesve ndërkombëtarë ligjorë ndaj Veliajt ishin refuzuar, ndërsa më pas autoritetet shqiptare kanë lejuar zhvillimin e takimeve.
Brandon deklaroi se mbrojtja ligjore do të vijojë përgatitjet edhe në muajt në vijim, duke theksuar se çështja lidhet me të drejtën e një personi për të zgjedhur përfaqësuesit e tij ligjorë dhe për të pasur akses tek mbrojtja.
“Ne jemi përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të z. Veliaj. Kjo është një çështje me rëndësi të lartë publike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Ne jemi për të asistuar z. Veliaj për aplikimin e tij drejtuar Strasburgut. Ditët e fundit ne i kemi kaluar në paraburgimin ku ai ndodhet për të hartuar aplikimin dhe do të kthehemi sërish në shtator.
Siç e theksova, ne kemi përfaqësuar ligjërisht z. Veliaj që nga fillimet e ndalimit të tij.
Pas një ndryshimi të vendimmarrjes nga autoritetet në Tiranë, e cila ishte me vonesë, ne na u dha mundësia të takohemi me z. Veliaj, pas 14 muajsh kërkesash të refuzuara.
Ne jemi mirënjohës për mundësinë që na është dhënë për të takuar z. Veliaj në paraburgimin në Durrës.
Gjithsesi, riktheksojmë se refuzimi i qasjes nga përfaqësuesit e zgjedhur ligjorë për Erion Veliaj është i papranueshëm. Ndryshimi i qasjes nga autoritetet shqiptare për ne është i pakuptueshëm. Është e drejta e tij për të zgjedhur përfaqësues ligjorë dhe të ketë akses te ata”, u shpreh avokati Brandon.