Sport
Dhuruata e parë për Napolin/ Akordi shumë pranë me De Bruyne, detajet e ofertës së De Laurentiis

Dhuruata e parë e Aurelio De Laurentiis për Napolin (dhe për Conten) pas fitores së titullit të Serie A 2024/2025 është Kevin De Bruyne. Pas thashethemeve të javëve të fundit, duket se belgu është me të vërtetë një hap larg veshjes së fanellës së Napolit që nga sezoni i ardhshëm. Nga një ëndërr në realitet. Heshtje totale menjëherë pas vërshëllimës së fundit në sfidën kundër Cagliarit në “Maradona”, që ndezi festën napolitane. Asnjë fjalë për këtë çështje, madje as nga presidenti. Lukaku, bashkëkombësi i tij, u përgjigj thjesht: “No comment”.
Oferta e Napolit për Kevin De Bruyne është një kontratë trevjeçare: 10 milionë euro bonus në momentin e nënshkrimit, plus 6 milionë euro neto në vit për dy vitet e para dhe një opsion për vitin e tretë me 5 milionë euro. Belgu pritet të shpallë së shpejti vendimin përfundimtar, edhe pse duket se tashmë e ka marrë. Alternativa që ende qëndron në tryezë është kalimi në MLS te Chicago Fire. Por gjithçka tregon se e ardhmja e tij është e lidhur me Napolin, që është i vendosur të mbyllë marrëveshjen me lojtarin e lirë nga Manchester City.
Napoli ka planifikuar kontakte të mëtejshme për të mbyllur marrëveshjen në fillim të javës së ardhshme, menjëherë pas ndeshjes së fundit të De Bruyne me Manchester City sot në orën 17:00 në fushën e Fulham. Në tavolinë është një marrëveshje me vlerë totale 27 milionë euro për tre vjet, përfshirë bonusin në nënshkrim. Vendimi pritet javën e ardhshme. Sipas “Sky”, është zgjidhur edhe çështja familjare: fëmijët do të ndjekin një shkollë amerikane. Tani, përveç ndonjë përmbysjeje të papritur, mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes.

