Aktualitet
Helmimi i fëmijëve/ Ushqimet pa kushte higjeno-sanitare? Kreu i Bashkisë Gramsh: Kopështi ka frigorifer

Kryetari i Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi në një përgjigje në lidhje me rastin e helmimit të fëmijëve në kopështin publik Nr.1 ka informuar në lidhje me rastin dhe kushtet e institucionit. Ajazi ka hedhur poshtë pretendimet se kopshti nuk përmbush kushtet-sanitare.
Kreu i Bashkisë informon se institucioni në fjalë është i pajisur me frigorifer, dhe ushqimi ruhet në përputhje me kërkesat higjieno-sanitare. Në lidhje me helmimin e fëmijëve, Ajazi deklaron se për helmimin në fjalë, nuk janë 70 fëmijë të helmuar, por janë marrë 72 mostra për analiza nga institucionet përkatëse shëndetësore, me qëllim hetimin e mundshëm.
PËRGJIGJIA:
Në përgjigje të kërkesës suaj të datës 24 maj 2025, lidhur me situatën në një nga institucionet parashkollore në qytetin e Gramshit, ju informojmë si më poshtë:
1.Në lidhje me pretendimet për helmimin e fëmijëve, sqarojmë se nuk bëhet fjalë për 70 fëmijë të helmuar, por janë marrë 72 mostra për analiza nga institucionet përkatëse shëndetësore, me qëllim hetimin e mundshëm të një rasti të izoluar. Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që të bëhet fjalë për helmim ushqimor.
2.Institucioni (kopshti) në fjalë është i pajisur me frigorifer, dhe ushqimi ruhet në përputhje me kërkesat higjieno-sanitare. Informacioni i dhënë më herët në media, për mungesën e frigoriferit, nuk qëndron.
3.Autoritetet përkatëse kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për kontrollin dhe garantimin e sigurisë ushqimore, duke përfshirë inspektime të menjëhershme dhe analiza laboratorike, si dhe monitorimin e afërt të gjendjes shëndetësore të fëmijëve.
4. Bashkia Gramsh, në rolin e Autoritetit Kontraktues, ka lidhur Marrveshjen Kuadër me afat 2 vjeçar me objekt: “Bjerje mallra ushqimorë për plotësimin e nevojave të çerdheve, kopshteve dhe konviktit të shkollës së mesme” me Operatorin Ekonomik “Nelsa” sh.p.k me nr. Nipt – J 71601012 S.
Bashkia Gramsh mbetet e përkushtuar në garantimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve në institucionet publike dhe është e hapur për çdo kërkesë shtesë informacioni, në përputhje me legjislacionin në fuqi, përkatësisht ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”./zeri.al

