Connect with us

Kosova

Kos thotë se KE-ja është e gatshme të shqyrtojë aplikimin e Kosovës, por e fton të përmbahet nga veprimet e njëanshme

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar të martën gjatë një debati në Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian se Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sapo të marrë mandatin përkatës nga Këshilli i BE-së.

“Komisioni Evropian mbetet i gatshëm të përgatisë opinionin për anëtarësimin e Kosovës në BE kur të marrë një kërkesë nga Këshilli i BE-së. Por, dua të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të raporteve me Beogradin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja e jo përmes veprimeve në njëanshme”.

Kos ka bërë thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve të reja në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e reformave në mënyrë që vendi i vogël të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes i BE-së për gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Në Kosovë, pas zgjedhjeve, esenciale është të formohen shpejt institucionet dhe të lëvizet përpara me reformat kyçe në sistemin e drejtësisë, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një kuvend janë të domosdoshëm në mënyrë që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka theksuar tutje Kos.

Janë bërë më shumë se dy vjet që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, por Këshilli i BE-së akoma nuk e ka ekzaminuar “dosjen” e Kosovës. E tani sytë janë kthyer nga Danimarka, në prag të marrjes së presidencës gjashtëmujore në korrik 2025.

Advertisement