Connect with us

Politike

Pas Tiranës, KAS vendos për rinumërimin e votave në Fieri! PD-së i kërkohet paraqitja e provave

Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave (KAS) ka vendos për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave në Qarkun e Fierit, si për partitë, ashtu edhe për kandidatët. 587 kuti do të rinumërohen për partitë dhe kandidatët preferencial në Fier.

“Me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, i kërkohet administratës që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit të qarkut Fier, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për votat brenda vendit si në rastin e qarkut Tiranë. Kështu që merrni masat, me mbarimin e qarkut Tiranë, të vazhdojë me këqyrjen e kutive të votimit të qarkut Fier. Seancën e radhës dhe orën do ta lëmë në varësi të përgatitjeve që do administrata për të organizuar këtë proces”, u shpreh Elvin Lako, anëtari i PS në KAS.

Kërkesa për rinumërimin e kutive në Fier u paraqit nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, dhe u mbështet edhe nga koalicioni opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë e Mirë (PD-ASHM)”.

Ndërkohë sa i përket qarkut të Shkodrës, Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave vendosi që mbledhja të shtyhej për ditën e mërkurë, në orën 10:30, duke i kërkuar Partisë Demokratike, të paraqesë provat konkrete mbi shkeljet që pretendon.

Përfaqësuesi i opozitës, Marash Logu u shpreh se janë gjetur parregullsi të theksuara, sidomos tek të dhënat PEI, vota e diasporës dhe referimi i votave në procesverbale, përveç atyre që ishin dorëzuar më parë si përdorimi i administratës, asfalti elektoral i qeverisë, patronazhistët dhe blerja e votave.

Pretendimet e tij, u kundërshtuan nga KQZ, ku drjtoresha Pavlina Doçaj u shpreh se “janë të pabaza”, pasi tabela e Shkodrs është certifikuar nga KQZ pa asnjë ankimim nga numëruesit apo komisionerët e opozitës. Ajo tha se nuk janë gjetur parregullsi që të çojnë në përsëritje apo pavlefshmëri zgjedhjesh.

Advertisement