Connect with us

Politike

SPAK kërkon zgjatjen e hetimeve për Metën/ Avokati i bindur: S’kanë mbledhur asnjë provë

SPAK ka kërkuar këtë të hënë zgjatjen e hetimeve ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Avokati i tij, pasi ka marrë shkresën nga prokurorët, deklaroi për mediat se SPAK po mban Ilir Metën në paraburgim, megjithëse sipas tij ende nuk ka asnjë provë ndaj tij.

Avokati Kujtim Cakrani u shpreh se Meta mbahet në burg për arsye politike, ndërsa citoi shkresën e prokurorëve, të cilët, sipas tij, me arsyetimin se “presin prova dhe përgjigje për akt-ekspertime”, kanë kërkuar zgjatjen e hetimeve.

Avokati i Metës tha se është e pakuptimtë që SPAK ka gjashtë vite që nuk gjen prova për Metën, dhe sërish kërkon zgjatje të afateve hetimore.

Meta ndodhet prej 7 muajsh në paraburgim dhe, sipas avokatit, Prokuroria nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për të kërkuar nga Gjykata çdo dy muaj vazhdimin e masës së paraburgimit. “Çështjen do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Strasburg. Si ka mundësi që SPAK, edhe pas një viti, të thotë se nuk ka prova për të vijuar hetimet ndaj Metës? Këtu kam një shkresë ku Prokuroria kërkon sërish zgjatjen e afatit me 6 muaj të tjerë,” – tha ai.

Sipas avokatit, kjo është hera e dytë që kërkohet zgjatje me një shkresë “të thatë” sipas tij, ku thuhet se “presin prova, presin akt-ekspertim të ish-vjehrrës”. “Po çfarë lidhje ka zoti Meta me aktet e ekspertimit të vjehrrës?”, shtroi ai pyetjen.

“Meta po qëndron në paraburgim për akuza që as SPAK nuk i di. Kanë 6 vite dhe ende s’kanë mbledhur asnjë provë për ish-presidentin Ilir Meta. Nuk kuptojmë pse mbahet në paraburgim. Pse mbahet në paraburgim Ilir Meta? Kjo është pyetja që shtrohet. Ne nuk jemi kundër hetimit, ai është pro hetimit, por pse mbahet në paraburgim?”

Avokati theksoi se të gjithë e dinë që Meta mbahet për çështje politike dhe përmendi mënyrën se si, sipas tij, u arrestua: “Ky procedim ka nisur 6 vite më parë. Po të donte SPAK, do kishte ndikuar te kolegët e tyre në Prokurorinë e Tiranës për hetimet, për të zbardhur se si u rrëmbye Ilir Meta nga ata policë.”

Avokati paralajmëroi se këtë çështje do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg, duke kundërshtuar qëndrimin e Metës në burg, sipas tij pa prova, si edhe mënyrën e arrestimit, që do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Advertisement