Bota
I fshehur në bunker/ Khamenei provokon SHBA-në: Nëse na sulmoni, do ta paguani shtrenjtë

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se vendi i tij nuk do të pranojë thirrjen e Presidentit amerikan Donald Trump për një dorëzim të pakushtëzuar.
Në komentet e tij të para që nga e premtja, Khamenei tha se paqja apo lufta nuk mund t’i imponohen Republikës Islamike.
“Ky komb nuk do t’i dorëzohet askujt përballë imponimeve”, deklaroi Khamenei, sipas agjencisë Isna. “Izraeli ka bërë një gabim të madh dhe do të ndëshkohet”.
“Nëse SHBA-të na sulmojnë, do të përgjigjemi me dëme të pariparueshme”.
“Kushdo që njeh Iranin, popullin dhe historinë e tij, nuk do t’i drejtohej kurrë këtij kombi me tone kërcënuese, sepse Irani nuk do të dorëzohet”, deklaroi Khamenei. “Amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre do të hasë pa dyshim në një kundërpërgjigje me dëme të pariparueshme”, vazhdoi ai. Khamenei lavdëroi qëndrimin e popullit iranian përballë agresionit:
“Populli iranian i është kundërvënë me vendosmëri luftës së imponuar, dhe po me të njëjtën vendosmëri do t’i kundërvihet paqes së imponuar; ky komb nuk do t’i nënshtrohet kurrë imponimeve të askujt”.
Udhëheqësi Suprem iranian, ayatollah Ali Khamenei, e përsëriti premtimin se Izraeli “do të ndëshkohet” për “gabimin e rëndë” që ka bërë. Populli nuk do ta harrojë gjakun e “dëshmorëve” dhe sulmin ndaj territorit të tij, theksoi Khamenei në një fjalim televiziv drejtuar kombit, sipas agjencive iraniane. “Irani nuk do të pranojë një paqe apo luftë të imponuar. Kush e njeh historinë e Iranit, e di që ne nuk pranojmë kërcënime”.

