Kosova
Dialogu me dy nëna që s’japin gji/ BE-ja shmang përgjigjen rreth pretendimeve të Trumpit për Kosovën

Bashkimi Evropian ka refuzuar të japë përgjigje të drejtpërdrejtë në pyetjen rreth pretendimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka përmendur ndërmjetësimin e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të rolit të Shteteve të Bashkuara në parandalimin e konflikteve ndërkombëtare.
Gjithsesi ajo ka theksuar vazhdimësinë e bashkëpunimit praktik me SHBA-në për të mbështetur stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“BE-ja ka interesa shumë të qarta në Ballkanin Perëndimor dhe mbështet fuqishëm perspektivën e zgjerimit të rajonit. Në të njëjtën kohë, ekziston një bashkëpunim i mirë mes BE-së e SHBA-të dhe partnerëve të tjerë në arritjen e objektivit tonë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të zhvilluar ekonomikisht” – u deklaruan nga Unioni duke theksuar se Bashkimi Europian pret që sikurse Kosova, ashtu edhe Serbia, të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura pa vonesa dhe pa parakushe.
Presidenti Trump ka përmendur sërish Kosovën dhe Serbinë gjatë një adresimi në samitin e NATO-s në Hagë të Holandës, duke pretenduar se administrata e tij ka “zgjidhur” konfliktin mes dy vendeve. Gjithashtu, ai ka nënvizuar javën e kaluar se gjatë mandatit të tij të parë kishte parandaluar shpërthimin e një lufte Kosovë-Serbi.

