Sport
Guardiola: Humbja në Torino i përket së kaluarës, duam t’i shkojmë deri në fund Botërorit të Klubeve

Juventusi dhe Manchester City janë tashmë të kualifikuara për në 1/8 finale të Botërorit për Klube.
Përballja direkte në grupin G mes bardhezinjve dhe “Citizens” do të vendosë se kush do të kalojë si i pari dhe i dyti, një detaj aspak i parëndësishëm, pasi skuadra që del e dyta do të përballet me shumë gjasa me Real Madridin.
Guardiolës dhe skuadrës së tij, për shkak të golavarazhit më të dobët, vetëm fitorja e siguron vendin e parë.
“Ne jemi këtu për të shkuar deri në fund”. Ky ishte paralajmërimi për Juventusin nga Pep Guardiola, i cili foli për Tudor dhe bardhezinjtë në prag të ndeshjes vendimtare për vendin e parë në grup: “Juventusi ka një emër të madh, por për ne është e rëndësishme të ecim përpara. Aktualisht jemi larg formës më të mirë, shpresojmë të rritemi nga ndeshja në ndeshje gjatë këtij turneu”.
Trajneri spanjoll komentoi edhe përballjen e fundit, humbjen në Torino në fazën e grupeve të Champions League, sezonin e kaluar: “Ajo humbje i përket së kaluarës. Nuk duam ta përjetojmë sërish. Juventusi është gjithmonë i fortë, edhe kur e takuam në periudhën më të keqe të sezonit tonë, kur nuk po fitonim dot asnjë ndeshje. Tani është sërish i fortë. Tudor ka një qasje ndryshe, shumë më agresive, jep një lexim tjetër të ndeshjeve”.
Guardiola u ndal edhe te vështirësitë që po sjell nxehtësia ekstreme, e cila po e shoqëron këtë Kupë Bote për Klube: “Temperaturën nuk mund ta ndryshosh, ndaj është më mirë të luajmë siç kemi bërë gjithmonë. Të gjitha skuadrat duhet të përshtaten. Do të merren masa për Kupën e ardhshme të Botës. Duhet të mësohemi të vuajmë. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh në këtë turne. Ka skuadra më në formë dhe më pak në formë, por kush është i fortë, mbetet i tillë. Ka shumë lagështi, por është e vështirë për të gjithë. Në ndeshjen e dytë arritëm ta rrisnim ritmin, gjithçka varet nga kushtet”.
Për shkak të temperaturave të larta, spanjolli do të ndryshojë sërish formacionin, siç bëri edhe kundër Wydad dhe Al Ain: “Sigurisht që do të ketë rotacion edhe këtë herë, si në formacionin titullar, ashtu edhe gjatë lojës. Echeverri është i dëmtuar, ka një problem në kyçin e këmbës dhe do të mungojë 2-3 javë, më vjen keq për të. Rodri po përmirësohet dhe mund të luajë, nëse jo të gjithë ndeshjen, të paktën një pjesë. Ai është i lumtur që mund ta rrisë minutazhin. Në këto kushte klimatike nuk mund të luajmë me ritmin tonë për 90 minuta. Do të ishte interesante nëse do të lejoheshin më shumë se 5 zëvendësime”.
Në fund, Guardiola foli edhe për sezonin e vështirë që po kalon Manchester City: “Ky vit ka qenë emocionalisht i vështirë, sepse nuk ka qenë sezoni ynë më i mirë për nga rezultatet. Për këtë arsye, këtu në SHBA po mundohemi ta përjetojmë gjithçka me më shumë qetësi. Kushdo që dëshiron ditë pushimi, do ta ketë. Nuk duhet të shpërdorojmë energji. Shumë lojtarë nuk patën kohë për pushim pas kampionatit, sepse u bashkuan menjëherë me kombëtaret e tyre. Na presin edhe 11 muaj të vështirë përpara, ndaj vendosa të jap pak më shumë liri, madje edhe në ditët e lira”.
syri net

