Sport
Ronaldo-Messi, sfidë “sheikësh”/ Pas rinovimit të CR7 edhe “Pleshti” mund të transferohet në Arabi

Tërheqja nuk bën pjesë në karakterin e tij. Cristiano Ronaldo vendosi që të qëndrojë në fushat e futbollit edhe pasi të festojë ditëlindjen e tij të 42-të. Një vendim i rëndësishëm, por që lehtësohet shumë nga kontrata rekord që firmosi për rinovimin deri në vitin 2027 me Al Nassr.
CR7 do të fitojë 200 milion euro në sezon, ndërsa do të arkëtojë gjithashtu edhe 60 milion euro të tjera në vit nga e drejta e imazhit. Përveç parave, sulmuesi portugez kërkon të vazhdojë edhe me rekordet e tij sportive, ku mision kryesor është arritja e 1 mijë golave në karrierë.
Jo vetëm kaq. Rinovimi i kontratës që shtyn në kohë tërheqjen e Cristiano Ronaldo nga futbolli ka rindezur edhe një herë sfidën e zjarrtë që zgjat prej më shumë se çerekshekulli mes tij dhe Lionel Messi.
Ky duel, që ishte shuar vitet e fundit për shkak të distancës së madhe mes dy kontinenteve ku vijojnë karrierën dy yjet e futbollit, mund të transferohet që sezonin e ardhshëm në Arabinë Saudite.
Pasi dështoi në tentativën e parë për të transferuar në sulmuesin argjentinas, përpara se të transferohej te Inter Miami, Al Hilal ka nisur një tjetër sulm për të bindur “Pleshtin”.
Lajmi konfirmohet nga drejtuesit e klubit saudit, madje mediat atje, flasin për një takim mes tyre dhe babait-menaxher të Messi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Botërorit për Klube.
Nuk dihen detajet financiare, por mund të merren me mend nëse kujtojmë ofertën e parë dhe të refuzuar nga argjentinasi. Kur u largua nga Paris SG, Al Hilal i ofroi atij 1.2 miliard dollarë për katër vite, ndërsa tani kur rivali i tij Cristiano Ronaldo është i freskët me kontratën rekord, këto shifra kanë ndryshuar.
Kështu, tifozët që e kishin shijuar rivalitetin mes CR7 dhe Messi, mund të jenë shpresplotë që ky duel mund të kthehet shumë shpejt.
abcnews.al

