Sport
Një Real “mbretëror”, madrilenët shkëlqejnë me fitore 3-0 në Botërorin e Klubeve

Të gjithë po e prisnin këtë moment. Reali i Madridit edhe kur është në krizë e në tranzicion, mbetet Reali, dhe shpresa ishte e gjitha që skuadra e madhe spanjolle do të shfaqej në Kupën e Botës për Klubet.
Kështu ndodhi më në fund në ndeshjen e tretë dhe të fundit në grupe. Fitore spektakolare 3-0 ndaj Salcburgut, në një ndeshje që u duk e ekuilibruar në fushë, por që u vendos nga klasi më I lartë I yjeve spanjollë, dhe zhdërvjelltësia e lojës së ekipit të trajnerit Shabi Alonso.
Vinisius dhe Valverde I dhanë drejtim me dy gola në fund të pjesës së parë, ndërsa braziliani pati edhe një asist. Pas pushimit shënoi sulmuesi I ri, Gonzalo Garsia, për të cilin Alonso thotë se I ngjan shumë Raulit.
“Shfaqet Madridi I Shabit, – titullon “Marka”, – Vini shkëlqen me gol dhe asist, ndërsa ekipi bëri shumë presion! Nuk ndodhte që nga koha e Murinjos!”
Fjala është për lojën me 3 mbrojtës qendre, me skemën 3-5-2, që besohej se nuk mund të praktikohej tek Reali.
Trajneri bask nuk ka humbur kohë për të nisur projektin e tij, duke i dhënë çelësat e mesfushës yllit të ri, Arda Gyler, dhe Gonzalo Garsian si pikë referimi në sulm, sidomos në mungesë të Kilian Mbapesë.
“Vinisius nis fluturimin, Gonzalo shtyp”, – shkruan e përditshmja tjetër madrilene, “AS”, që komenton se Reali ka një udhëtim europian në Botërorin e Klubeve.
Në raundin e dytë kemi një përplasje gjigandësh, Real-Juventus, ndonëse italianët pësuan humbje të rëndë nga Siti në grup. Madridi mund të ketë rivalë të tillë si Paris SG apo Bajern në rrugën drejt finales së mundshme.
abc.news

