Connect with us

Sport

“Tulipanët” e rinj pushtojnë Europën/ Holanda fiton “Euro U19”, mundi në finale 1-0 Spanjën

Ishin padyshim dy skuadrat më të mira.

Holanda dhe Spanja luajtën një finale shumë të fortë të Kampionatit Europian U19, të cilën në fund e fituan “tulipanët”.

Në stadiumin Xhuleshti, në periferi të Bukureshtit, pati futboll të hapur dhe sulmues.

Të besuarit e trajnerit Martejn Rëjser ia dolën falë një autogoli në minutën e 62-të shkaktuar nga Raul Himenez Latorre, ndërsa trofeun mund ta meritonin të dyja palët.

Holandezët u imponuan me nivelin shumë të lartë fizik dhe mbrojtjen tepër të fortë, përballë talentit dhe shkathtësisë së spanjollëve.

Sidomos, ata e rritën ritmin pas pushimit, ndonëse “Furitë e Kuqe” patën gjithashtu raste për të shënuar.

Ky ishte titulli I parë në histori për “portokallinjtë”, diçka e habitshme për traditën e futbollit në këtë vend.

Spanja, në të kundërt, ishte kampione në fuqi e Europës dhe mbetet rekordmenja e trofeve me 12 të tillë!

Vërtet, diçka e jashtëzakonshme.

Futbollisti më I mirë I Kampionatit Europian u shpall 19-vjeçari Kes Smit I Holandës, dhe mesfushori pritet të ketë një të ardhme të bukur.

Sonte, ndërkaq, pritet finalja e Europianit U19 për femra, mes Francës dhe Spanjës.

abc.news

Advertisement