Connect with us

Bota

Izraeli urdhëron zbrazjen e Veriut të Gazës, Donald Trump i fryn bilbilit të armëpushimit

Izraeli ka urdhëruar palestinezët të evakuohen nga pjesë të veriut të Gazës përpara një intensifikimi të pritshëm të veprimeve ushtarake, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump shtyn për një marrëveshje armëpushimi.

Banorët në lagje të ndryshme të qytetit të Gazës dhe Jabalia janë udhëzuar të zhvendosen në jug, drejt zonës bregdetare të al-Mawasi, pasi operacionet ushtarake izraelite “janë intensifikuar dhe po zgjerohen drejt perëndimit”.

Të paktën 86 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në 24 orët para mesditës së së dielës, sipas ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.
Tre fëmijë ishin mes viktimave në një sulm në zonën e ashtuquajtur “e sigurt” të al-Mawasi, sipas prindërve të tyre.

Trump ka përsëritur thirrjet për të “arritur marrëveshjen në Gaza” dhe për të “kthyer pengjet”.

Të shtunën, Trump tha në platformën Truth Social se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte në proces të negociatave me Hamasin “në këtë moment”.

Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, deklaroi të dielën se ushtria izraelite po vepron në veri të Gazës “për të eliminuar terroristët dhe infrastrukturën terroriste”.

Punonjës të emergjencës dhe banorë i thanë agjencisë Reuters se bombardimet ushtarake u shtuan në orët e para të së dielës, duke shkatërruar disa shtëpi.

Agjencia e mbrojtjes civile e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, u tha mediave se të paktën 23 persona ishin vrarë vetëm të dielën.

Punonjësit mjekësorë thanë se pesë persona u vranë në një sulm ajror izraelit mbi një tendë që strehohej njerëz të zhvendosur në al-Mawasi, pranë qytetit jugor Khan Younis – një zonë ku më parë ishte kërkuar që banorët e veriut të evakuoheshin.

Pesë anëtarë të familjes Maarouf, përfshirë tre fëmijë, u vranë.

“Ata na bombarduan ndërsa flinim në tokë”, tha nëna e tyre, Iman Abu Maarouf.

“Ne nuk bëmë asgjë të keqe. Fëmijët e mi u vranë, dhe të tjerët janë në kujdes intensiv”.

Advertisement