Bota
Nirbhay/ Greqia blen nga India raketa me rreze të gjatë, Ankaraja ndez dritat e alarmit

Në një zhvillim të ditëve të fundit që ka ndezur alarmin në Ankara, mediat greke dhe turke raportojnë se India i ka ofruar jozyrtarisht Greqisë raketën e saj cruise për sulm tokësor me rreze të gjatë veprimi (LR-LACM) e njohur ndryshe si Nirbhay.
Sipas raportimeve mediatike nga GeoStratigika në Greqi dhe TR Haber në Turqi, raketa LR-LACM me rreze veprimi mbi 1 mijë kilometra mund t’i jetë ofruar Greqisë pas afrimit diplomatik dhe ushtarak mes dy vendeve.
Raketat, të zhvilluara nga agjencia indiane DRDO, janë të afta të mbajnë koka luftarake konvencionale dhe jokonvencionale, me saktësi të lartë dhe manovrim të avancuar.
Vizita e fundit në Athinë e Shefit të Shtabit Ajror të Indisë, Komandantit AP Singh, dhe pjesëmarrja e Indisë në ekspozitën e mbrojtjes DEFEA-25 ku u prezantua kjo raketë, përmenden si shenja të një bashkëpunimi të thelluar në fushën e mbrojtjes.
Media turke pretendon se këto zhvillime vijnë si pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve Indi-Turqi, veçanërisht pas mbështetjes së Ankarasë ndaj Pakistanit.
Disa raportime të pakonfirmuara madje aludojnë se Greqia ka kërkuar informacione për taktikat e përdorura në operacione indiane si “Sindoor”, për të përgatitur pilotët për përballje të mundshme me Forcat Ajrore Turke.

