Connect with us

Shkrime

Bedri Elezi: Siguria në Kosovë nuk mund të jetë e mbështetur vetëm në vullnetin e aleatëve

Deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me ndërhyrjen e SHBA-ve për të parandaluar një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe pohimi i tij se Kosova nuk ka qenë në dijeni për planet operacionale të Serbisë, përbën një konfirmim të rëndësishëm dhe tejet shqetësues për raportet aktuale të bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përtej falënderimit për ndërhyrjen e SHBA-ve, deklarata nënkupton mungesë të thellë besimi operacional dhe të shkëmbimit të informacionit të klasifikuar midis dy shteteve aleate. Kjo përbën një indikator serioz të nivelit të bashkëpunimit dhe besimit strategjik që duhet analizuar me vëmendje dhe përgjegjësi.
Nëse institucionet e Kosovës nuk kanë pasur qasje në informacione për plane të mundshme agresioni nga Serbia, kjo tregon një boshllëk të madh në sistemin e inteligjencës kombëtare, në partneritetin me aleatët dhe në gatishmërinë për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e vendit.
Është më se urgjente që institucionet përgjegjëse të analizojnë këtë situatë dhe të adresojnë pyetjet kyçe:
1- Pse nuk ka pasur shkëmbim të informacionit në kohë reale me SHBA-të?
2- A ka mungesë të kapaciteteve, të besueshmërisë apo të strukturave profesionale që të garantojnë ruajtjen e informacionit të ndjeshëm?
3- Çfarë duhet të ndërmerret për të rindërtuar dhe forcuar besimin në fushën e inteligjencës dhe sigurisë me partnerët strategjikë?
Ky moment duhet të shërbejë si thirrje për reflektim kombëtar dhe reformim të thellë të sistemeve të sigurisë, koordinimit dhe partneritetit ndërkombëtar. Siguria kombëtare nuk mund të jetë e mbështetur vetëm në vullnetin e aleatëve – ajo duhet të ndërtohet mbi themele të forta institucionale, profesionale dhe të besueshme. Bedri Elezi
Advertisement