Kosova
Temperaturat e larta/ Ministria e Shëndetësisë së Kosovës plan masash: Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka nxjerrë një rekomandim me masa dhe rekomandime për mbrojtjen e punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme të popullsisë nga temperaturat e larta, të cilat parashikohen të shënohen në Kosovë gjatë periudhës 3 deri më 10 korrik.
Ministria bazohet në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK). Kosova po përballet me temperatura të larta deri në 36 gradë celsius gjatë kësaj jave. Ndërkohë, pjesë të Evropës si Spanja dhe Italia po shënojnë mbi 40 gradë celsius në valën më të ashpër të të nxehtit këtë verë.
Sipas njoftimit, temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.
Ministria rekomandon që institucionet publike dhe private të përshtatin oraret e punës për të punësuarit, duke mundësuar orar fleksibil, fillim më të hershëm të punës në mëngjes ose punë nga shtëpia kur është e mundur.
Gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike duhet të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë ose të lejohen të punojnë nga shtëpia. Gjithashtu, kërkohet të sigurohet ajrosje e mjaftueshme në ambientet e mbyllura të punës dhe të vendosen pika freskimi në hapësirat e jashtme, si dhe të garantohet qasje në ujë të ftohtë për punëtorët.
Ministria fton të gjitha institucionet që të respektojnë këto masa për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve dhe të grupeve më të rrezikuara gjatë kësaj vale të të nxehtit./REL

