Shkrime
Ivanka është bërë vlonjate me taban: Sazan e Karaburunë janë vatanet e mia, nuk do m’i marrë Italia

VLORË, KUÇ, KALLARAT E BOLENË – Të gjithë naivët ku janë e ku s’janë, të gjithë provincialët që s’marrin erë nga jeta, u mblodhën e thanë se I Gjati i bëri rreshtore bashkisë së Vlorës, drejtuar nga Dermal Dredhaniku, për të larguar vëmendjen nga zjarri që nuk pushon së djeguri në fushën e plehrave të Elbasanit. Në fakt, ‘fushë’ e themi për delikatesë, se plehrat e Elbasanit ishin bërë mal i mirëfilltë dhe fëmijët e komunitetit lokal rom kishin filluar të stërviteshin në alpinizëm.
Por sigurisht, nuk ishte kjo arsyeja. Plehrat në Elbasan kanë katër ditë që digjen, Kurumi ka tridhjetë vjet me furrnalta ndezur, dhe Elbasani prapë e ka në terezi. Bile edhe për të ngritur zërin për djegien e plehrave, një grup protestuesish të specializuar u nis nga Tirana, por vendasit i shihnin të çuditur se çfarë ishin këto goca e çuna që bënin zhurmë në pikë të vapës.
Jo pra, jo. Patronazhisti mëson se I Gjati u trondit dhe u nis t’i bëjë gjëmën Dermalit, sepse iu ankua Ivanka.
***
Ivanka, goca e Donaldit, kaloi ca ditë pushimesh në Vlorë e rrethina bashkë me burrin. Për këtë e kish lajmëruar dhe Të Gjatin, i cili e ngacmoi me stilin e vet sharmant: “Mirë me Ivankë, mirë se të vish. Po me këtë emër të shkon më shumë Korça me çupë, ç’ne në Vlorë ti o t’u mbylltë, ngjon o”, bëri shaka I Gjati, megjithëse mbetet e paqartë si tingëlloi anglishtja e tij me theks korçar.
Por Ivanka ishte bërë vlonjate me taban ndërkohë, ndaj ja ktheu shakanë:
“Po ç’dua unë në Korçë ore lamash! Unë në Vlorë do hedh lekun atccc… Sazan e Karaburunë, janë vatanet e mia, nuk do m’i marrë Italia!”
Dhe kështu ndodhi. Mediat publikuan ato pak tituj nga vizita e Ivankës, me fotot e hedhura nga vetë vizitorja në rrjetet sociale, por se si e qysh kishin kaluar pushimet e saj, mbeti mister. Përveç rojeve të saj të sigurisë, I Gjati kishte çuar dhe disa përforcime shtesë. Sepse e dinte që në rastin më të parë, ndonjë vlonjat mistrec do ta ndalonte dhe do ta pyeste a e kishte marrë provimin motra.
Por megjithë rojet, Ivanka vëzhgoi shumë gjëra. Kur mbaroi vakancën dhe I Gjati e pyeti si ja kaloi, ato që dëgjoi e tronditën.
***
“Hiç mirë nuk ja kalova,” iu ankua Ivanka, “kishte vajtur një pjatë makarona me fruta deti, 20 mijë lekë, sikur i presim paratë me gërshërë. Mirë kjo, po më duket se më njohën. Pyeta kamarierin a bënin pica për kalamajtë, më tha bëjmë ç’të të dojë trapi. Jo, i thashë, nuk jam vajza e Trampit, megjithëse ngjajmë”.
Në vijim Ivanka i tha se seç vinte një erë plehrash të djegura.
“Mooos, do ketë sjellë era plehrat e Elbasanit,” u pikëllua I Gjati.
“Jo mo ç’ne, ishin plehra lokale, i pashë që po digjeshin. Po më thanë se i kishin ndezur për të ndriçuar rrugën, se dritat kishin difekt,” ja ktheu Ivanka, “pastaj erdhën dritat dhe kishin harxhuar gjithë ujin për të fikur zjarrin, po kishin mbetur banorët pa ujë. Dhe unë që çuditesha pse gjithë kalimtarët kishin nga një shtresë kripë në lëkurë. Nuk ishin shpëlarë kur dilnin nga dëti vlla”.
Më tej Ivanka e informoi se nuk kish lezet që vendasit e hanin mishin e pjekur gjysmë të gjallë.
“Porosita një mish helli, kullonte gjak po të them. Mendo tani, njerëz që vinin vërdallë të lyer me kripë dhe me buzë të përgjakura. M’u lemerisën kalamajtë. I qetësova dhe u thashë se vlonjatët e festojnë Hallouinin në behar, se kanë kalendarin e majave”.
***
Ivanka iu ankua edhe për gjëra të tjera, si për shembull, pse vlonjatët ishin fiksuar me motrat e të tjerëve dhe kishin lënë jashtë vëmendjes pjesëtarët e tjerë të familjes; pse u ishte bërë refleks të krenoheshin se “do t’i hidhnin të huajt në det si talianët më Njëzetën” etj etj.
I Gjati i mbajti shënim të gjitha. Të nesërmen e mbajti frymën në Vlorë. Mblodhi gjithë drejtorët e bashkisë, me Dredhanikun në krye, dhe nisi t’u japë porositë e reja një më një.
Por kur drejtorët dëgjuan se duhej ta hanin mishin të pjekur mirë dhe jo gjysmë të gjallë, refuzuan me vendosmëri.
“Kështu e kemi traditën zoti kryeministër, është edhe çështje shëndetësore”, i tha një prej tyre, “unë po e hëngra mishin e pjekur tamam, më bie tensioni dhe bëhem për spital!”
Atëherë I Gjati i shkarkoi të gjithë…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike

