Politike
Gjahtari Berisha/ Murrizi: PD të shkundet, të gjithë anëtarët e kryesisë, duhet të qërohen

Ish-deputeti i PD-së, Myslim Murrizi, ka komentuar humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar rezultatin zhgënjyes, veçanërisht në Tiranë.
Ai tha se PD nuk është pa faj dhe duhet të analizojë thellë gabimet e saj. Sipas Murrizit, partia ka nevojë për një “shkundje” të fortë dhe largim të drejtuesve aktualë.
“Nuk e prisja këtë rezultat zgjedhor, sidomos për Tiranën. PD po vuan djegien e mandateve. Kur PS mori 60 bashki, bëri punësime të mëdha nëpër bashki, të cilët merren me këtë punën e zgjedhjeve. PD duhet të ulet dhe të analizojë situatën e vet. PD s’është pa faj vetë.
Nuk mund të shkosh tek qytetarët me ofertë detyruese, ose mashtruesin e Ramës ose mashtruesin tim. Nëse tek qytetari shikohesh me sy negativ, nuk është punë me zor. Nuk bëhesh në politikë se të ka qejf Berisha ose Rama. PD ka nevojë për shkundje. Të gjithë anëtarët e kryesisë, Sekretariati, nënkryetarë, drejtues duhet të qërohen dhe të rrinë në pozicione dytësore dhe tretësore”, tha Murrizi i ftuar në News 24.
Murrizi, e cilësoi Sali Berishën si një “gjahtar të pakujdesshëm” që ka promovuar figura artificiale dhe ka dobësuar Partinë Demokratike.
Sipas Murrizit, drejtuesit aktualë që kanë dështuar duhet të dorëzojnë mandatet. Ai theksoi se PD ka nevojë për riorganizim të thellë dhe largim nga vendimmarrjet pa transparencë.
“Në këto kushte, Sali Berisha ka qenë si gjahtar i pakujdesshëm. Ka shkuar të vrasë shkulëza dhe ka vrarë qentë e gjahut. Është përpjekur të krijojë figura butaforike e artificiale, ka dështuar.
Nëse Berisha ikën nesër, do ketë 7 PD. Një do e krijojë njëri, njëri tjetri. Mua PD më ofroi vetëm siglën, kisha shumë kundër dhe mora mbi 7500 vota.
Berisha nuk duhet të jetë më peng i fjalës së dhënë. Iu dha fjalën disa figurave aty, ata ikën dhe erdhën sërish e i futi të gjithë në parti pa primare, drejtues qarqesh.
Gjithë drejtuesit e qarqeve që kanë marrë më pak deputetë se lista e mbyllur, duhet të ikin e po të kenë moral, duhet të dorëzojnë mandatin”, tha Murrizi.

