Kosova
Kush po e mban në errësirë Albin Kurtin

Brenda një jave, krerët më të lartë të shtetit kanë shfaqur qëndrime të kundërta lidhur me deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se ai ka ndalur një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës në muajt e fundit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e konfirmoi një gjë të tillë gjatë një ligjërate në Uashington, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë çështje.
Pa dhënë shumë detaje, Osmani tha se raportet e përditshme të institucioneve të sigurisë në Kosovë pasqyrojnë qartë këto kërcënime dhe rolin e Trump në parandalimin e tyre.
“Ai është shumë i qartë në atë që thotë – për ne që i lexojmë përditë raportet tona të sigurisë, dhe nuk na lejohet të themi më shumë, është e qartë nga deklaratat e presidentit Trump se ai po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në ndalimin e destabilizimit të rajonit tonë, në javët e fundit”, tha ajo.
Ndërkohë, Kurti theksoi se autoritetet kosovare nuk kanë informacion mbi deklaratat e Trump dhe se është normale që këto të dhëna të mbeten brenda administratës amerikane.
“Është vështirë tash të them sepse nuk i di planet që i kanë, nuk i kam as informacionet e tyre, me siguri që Shtëpia e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përgjithësi kanë më shumë informacione se çfarë synimesh operacionale ka pasur Serbia dhe mund të kenë vepruar kundër tyre, faleminderit shumë”, tha Kurti në një intervistë për Tëvë1.
“Ato informacione që i kanë ata se çfarë ka bërë si plan konkret operacional kundër Kosovës Serbia mbase ne nuk e dimë edhe është e pritshme që nuk mund ta dimë. Organet tona bashkëpunojmë me SHBA-të dhe mbase një ditë do t’i kemi edhe në ato informacione, por aktualisht ne nuk i posedojmë ato”, shtoi ai.
Trump, javëve të fundit, në disa deklarata të tij, ka përmendur raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar se administrata e tij ka “zgjidhur” tensionet mes dy vendeve.
Duke folur për ambiciet territoriale të presidentit rus, Vladimir Putin, ai ka deklaruar se gjatë javës së fundit ka zgjidhur disa prej konflikteve ndërkombëtare, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. “Në javët e fundit, ne u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Pastaj do të merremi me Kongon dhe Ruandën”.
E kur është pyetur pse nuk ka arritur ta përfundojë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, presidenti Trump ka nënvizuar se situata është shumë komplekse. Në këtë kontekst, ai ka përmendur disa konflikte që SHBA-ja ka arritur t’i ndalojë, duke shtuar: “E ndaluam Serbinë, e cila do t’ia mësynte” – pa dhënë detaje se për çfarë mësymje bëhej fjalë

